A është REA (shqiptare) një rikrijim i ish-Jugosllavisë? Përgjigjet ish-ministrja

Shqipëria

A është REA (shqiptare) një rikrijim i ish-Jugosllavisë? Përgjigjet ish-ministrja

Më: 30 dhjetor 2017 Në ora: 13:25
Milena Harito

Ish- ministrja e Inovacionit Milena Harito në një intervistë për “Panorama” ka folur rreth rëndësisë që ka iniciativa e re rajonale për integrimin e Shqipërisë në BE.

Gjatë intervistës Harito tha se REA (Regional Economic Area) nuk ngjason aspak me ish-Jugosllavinë, duke u shprehur po ashtu optimiste për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE brenda gjashtë mujorit të ardhshëm.

“Integrimi europian ecën në rrugën institucionale të përafrimit të gjithë standardeve të Shqipërisë për tu bërë gati për të qenë anëtar me të drejta të plota në BE dhe ne shpresojmë që shumë shpejtë në 6 mujorin e parë të vitit që vjen do të çelim negociatat , pra do të bëjmë hapin e radhës në rrugën e anëtarësimit, por sidoqoftë dihet se  kjo rrugë është e gjatë,” thekson Harito.

Objektivi  i Shqipërisë është integrimi në BE. Përse nuk fokusohemi në këtë objektiv por angazhohemi në një iniciativë të re rajonale ?
 
Milena Harito: Procesi  i Integrimit europian është një proces thelbësor transformimi për 6 vendet e Ballkanit perëndimor :  Shqipëria, Serbia, Kosova, Maqedonia, Mali i ZI dhe Bosnja. Secili nga vendet është  në faza të ndryshme të procesit të integrimit por të gjashtë vendet janë sidoqoftë  në  faza të përafërta të këtij procesi të  gjatë dhe kompleks.  Procesi i integrimit në BE kërkon ndryshime rrënjësore institucionale, një shtet ligjor funksional dhe të drejtë për të gjithë, rregulla dhe standarte demokratike, meritokraci, instrumenta efikase në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit etj. Të gjitha këto standarte është e kuptueshme vendosen më shpejt e më lehtë nëse ka mirëqenie ekonomike, nga ana tjetër  vendosja e këtyre standarteve europiane ushqen  ekonominë dhe mirëqenien.

Në këtë proces integrimi europian është e mundur të ecim më shpejt në disa aspekte me fokus ekonomik. Procesi i Berlinit i nisur 4 vite më parë synon pikërisht konektivitetin e 6 vendeve të Ballkanit, projektet madhore infrastrukturore të ndërlidhjes me autostrada, hekurudha dhe infrastrukturë energjitike. Këto projekte sjellin investime direkte e më pas shtojnë e lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave duke zhvilluar ekonomitë e 6 vendeve.
 
Një tjetër aspekt i konektivitetit, tej projekteve infrastrukturore të cilat po  ndjekin rrugën e tyre, është bashkëpunimi i thelluar ekonomik i cili brenda kuadrit europian dhe në zbatim të tij, mund  të ecë më shpejt brenda 6 vendeve të rajonit. Pikërisht ky  bashkëpunim i thelluar ekonomik arrihet nëpërmjet të  zonës ekonomike rajonale ose REA : Regional Economic Area.
 
A është REA një rikrijim i ish-Jugosllavisë të cilës i bashkangjitet edhe Shqipëria?
 
Milena Harito: Zona ekonomike rajonale ka lidhje me ish – Jugosllavinë aq sa BE ka lidhje me ish-Bashkimin Sovjetik.

Sigurisht  dëgjohen këtu ose atje debate të cilat janë të shëndetshme, nëse bazohen në fakte dhe njohuri mbi procesin dhe jo në paragjykime apo opinione. Pse merremi me këtë çështje dhe pse nuk merremi me integrimin europian ?  Nuk ka asnjë hezitim dhe dilemë për këdo që njeh procesin që këto gjëra ecin sëbashku. Pra integrimi europian ecën në rrugën institucionale tëpërafrimit të gjithë standardeve të Shqipërisë për tu bërë gati për të qenë anëtar me të drejta të plota në BE dhe ne shpresojmë qëshumë shpejtë në 6 mujorin e parë të vitit që vjen do të çelim negociatat , pra do të bëjmë hapin e radhës në rrugën e anëtarësimit, por sidoqoftë dihet se  kjo rrugë është e gjatë. Qytetarët e vendeve tona kanë të drejtën të aspirojnë çdo ditë një jetë më të mirë, më shumë të ardhura. Ne  këtë  duhet të përshpejtojmë zhvillimin ekonomik për të gjithë banorët e të 6 vendeve dhe njënga mënyrat për ta përshpejtuar zhvillimin ekonomik ështëndërtimi I zonës ekonomike rajonale.
 
Kur dhe nga kush është vendosur krijimi i REA dhe pse kjo iniciativë është e ndryshme nga bashkëpunimet e mëparshme ?
 
Milena Harito: Krijimi  i REA u vendos nga të 6 kryeministrat në bashkëpunim me institucionet europiane në  verën 2017 në Trieste. Krijimi i REA  transformon   tregun tonë të copëzuar prej afër   3 milion banorësh nëShqipëri, më pak se 2 milion banorësh në Kosovë apo Maqedoni, në një treg prej  gati 20 milion banorësh, pra  në  një treg që bëhet më interesant për bizneset e të 6 vendeve dhe për investitorët e huaj. Kjo është një përpjekje për të krijuar  një hapësirë zhvillimi ekonomik më të shpejtë, më tëfuqishëm.
Por që krijimi i REA të mos mbetej vetëm një vullnet politik, ai u shoqërua me aprovimin e një plan-zbatimi disa vjeçar, MAP, sipas të cilit të 6 vendet do të ecin paralelisht në 4 shtylla.

Lehtësimi i tregtisë, lëvizja e lirë e profesionistëve, thithja e investimeve të specializuara dhe  tregu i përbashkët dixhital janë 4 shtyllat e bashkëpunimit për zonën ekonomike rajonale.

Disa shtylla kanë ekzistuar dhe intensifikohen me zbatimin e këtij plani, ky është rasti për tregtinë që mbështetet në marrëveshjen  e CEFTA. Ndërsa shtylla e katërt është ngritur rishtas me iniciativën e Shqipërisë, sipas  parimeve të DSM – Digital Single Market të BE.
 
Të gjitha dokumentat gjenden në ëëë.rcc.int në ëebfaqen e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit.

Si do të ndiqet zbatimi i planit disa vjeçar dhe a është me vonesë Shqipëria në zbatimin e tij ?A është ndonjë shtet më përpara se tjetri në garën për ti përmbushur hapat e MAP?
 
Milena Harito: Shqipëria ka ngritur instrumentin kombëtar të zbatimit, së pari me emërimin tim si koordinatore kombëtare për REA dhe pastaj me përcaktimin e ministrive  përgjegjëse për secilën nga 4 shtyllat dhe emërimin e personit të  ngarkuar nga ministria përgjegjëse për të  koordinuar punën me ministritë e tjera si edhe me  institucionet që kanë një rol kyç si doganat ose institucionet e pavarura dhe rregullatore si AKEP për uljen e tarifave të roaming brenda Ballkanit.
 
Një shtyllë është tregtia, pra lehtësimi i masave për tregtinë, e cila tradicionalisht është  nën përgjegjësinë e Ministrisë së Ekonomisë. Për shtyllën  e dytë, investimet është përsëri përgjegjëse Ministria e Ekonomisë dhe Financave për  qasjen e përbashkët që 6 vendet  do të kenë në tregun e kapitaleve, në thithjen e investimeve të huaja, në specializimin e secilit nga vendet tona në një fushë të caktuar sipas mundësive dhe kapaciteteve të çdo vendi. Shtylla e tretë është mobiliteti, lëvizshmëria e profesionistëve, nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit për njohjen e diplomave, njohjen e  profesioneve të lira në mënyrë që këto kapacitete që të gjitha vendet tona I kanë me pakicë të mund të shfrytëzohen sa më mirë në këtë treg të hapur prej 20 milion banorësh  cili do t’ju ofrojë profesionistëve rroga dhe mundësi më të mira në funksion të kërkesës dhe ofertës.
 
Shtylla e katërt është shtylla digjitale, transformimi dhe modernizimi nëpërmjet teknologjisë dixhitale i proceseve dhe ekonomive tona. Në  këtë shtyllë të katërt Shqipëria ka pasur dhe një rol leader sepse kjo shtyllë nuk ishte e përfshirë fillimisht në zonën ekonomike rajonale dhe ne punuam në 3 vitet e kaluara që kjo të përfshihej dhe që nga Samiti I Triestes pra që nga korriku I këtij viti, shtylla digjitale është plotësisht e përfshirë në të gjitha procesin e Berlinit.
 
Rolin lider e ka Ministria e Infrastrukturës për të çuar përpara një prej objektivave afatshkurtër që është ulja e tarifave të roaming për qytetarët që udhëtojnë brenda rajonit si edhe zhvillimin masiv të infrastrukturave broadband në partneritet me operatorët privatë, të  cilat janë po aq jetike për zhvillimin ekonomik sa edhe rrugët, energjia, uji.

Secili nga 6 shtetet avancon aq shpejt sa e ka të mundur brenda kapaciteteve të veta. Roli im është pikërisht nxitja e këtij procesi.

A është ky një proces burokratik ? Sa të përfshirë janë grupet e interesit ?
 
Milena Harito: Zona  ekonomike rajonale është një pjesë e procesit të Berlinit I cili përfshin gjithashtu dhe gjithë projektet e mëdha të konektivitetit, që janë projektet e mëdha të transportit dhe të energjisë. Procesi i Berlinit filloi si një vullnet politik, ashtu siç fillojnë të gjitha projektet e mëdha të këtij lloji, ashtu siç ka filluar edhe vetë Bashkimi Europian. Por ky është një projekt në shërbim të bizneseve, të konsumatorëve, të qytetarëve. Veçanërisht bizneset kanë një rol kyç për të orjentuar lehtësimin e masave të tregtisë në sektorët ku Shqipëria është e gatshme të përfitojë. Ndaj para disa ditësh, sëbashku me Ministren e shtetit për mbrojtjen e Sipërrmarjes dhe në bashkëpunim me Delegacionin e Komisionit Europian, të  gjitha këto çështje i diskutuam gjerësisht me përfaqësuesit e bizneseve dhe të dhomave të tregtisë. Ky projekt madhor do të jetë i suksesshëm sa më shumë të rritet tregtia brenda rajonit, sa më shumë të kemi investime të huaja të specializuara në të 6 vendet e Ballkanit, sa më shumë mjekë, dentistë inxhinjerë të lëvizin për të punuar në të 6 vendet, sa më shumë studentë, shkencëtarë dhe artistë të shkëmbejnë, sa më lirshëm, me cilësi, me përmbajtje të përshtatshme dhe me me tarifa të ulëta të  ketë secili akses në botën dixhitale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat