Trupi i pajetë i Florenc Beqirajt ka mbërritur më në fund në aeroportin e Rinasit, ku është pritur nga familjarët dhe shumë qytetarë te tjërë.
Gazetarët i janë afruar babait të Florencit, i cili me lotë në sy ka thënë shumë pak... “Ma morën djalin”.
Këto kanë qenë dhe fjalët e vetme që ka mundur të shqiptojë në ato momente babai i Florencit.
Vdekja e Florenc Beqirajt, 23 vjeçarit shkodran, ka prekur zemrat e mijërave shqiptarëve, teksa ende mbetet mister mënyra dhe shkaqet që sollën humbjen e parakohshme të të riut. Familjarët kanë marrë arkivolin dhe tashmë do t’i drejtohen qytetit të Shkodrës, atje dhe ku do të prehet trupi i pajetë i 23 vjeçarit. Shumë të pakta janë fjalët, e duket sikur ato i ka zëvendësuar shiu dhe lotët e familjarëve për humbjen e madhe që do të duhet të durojnë.
Florenci u gjet pa ndjenja dhe me shenja në repartin e strehimit të azilantëve në Francë, e deri tek momenti kur të riut shqiptar i hoqën aparaturat që e mbanin në jetë në spital ka një së pikëpyetjesh ende të pazbardhura. Hetimet kanë nisur tashmë dhe pritet që së shpejti e vërteta të dalë në pah.