“Babai më tha se nusen time do e ndanim bashkë”, si nisi sherri që solli krimin monstruoz

Shqipëria

“Babai më tha se nusen time do e ndanim bashkë”, si nisi sherri që solli krimin monstruoz

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 12:44
Selman Aliaj

Detaje nga krimi i rëndë në familje qe ndodhi të premten mbrëma në periferi të Tiranës, ku djali masakroi me çekiç të atin e moshuar dhe ka tentuar të fshehë vrasjen, duke e hedhur kufomën në Liqenin e Farkës.

Ngjarja është zbuluar më shumë se 24 orë pasi kishte ndodhur, pasi djali tjetër i viktimës kishte denoncuar zhdukjen e të atit.

Mbrëmjen e së shtunës, pas verifikimeve të kryera menjëherë pas kallëzimit, Policia ka arritur të zbulojë se i moshuari nuk kishte humbur, por ishte vrarë nga i biri. Pak orë më vonë është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të krimit, i cili është kapur në Kamzë, duke u larguar me makinë në drejtim të Kukësit.

Burime nga Policia thanë për "Panorama" se viktima është Fejzi Aliaj, 74 vjeç, ndërsa autori i ngjarjes është djali i tij, Selman Aliaj, 28 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Krimi i rëndë ka ndodhur në banesën përdhese ku jetonin babë e bir, në Shkozë të Tiranës.

Ndërsa trupi i viktimës është gjetur i mbështjellë me qilim në një prej kanaleve kulluese në Liqenin e Farkës.

KRIMI NE FAMILJE

Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:00, Selman Aliaj ka pasur një debat të ashpër me të atin, Fejzi Aliaj, 74 vjeç, në banesën e tyre në Shkozë. Babë e bir jetonin vetëm, ndërsa dy djemtë e tjerë dhe motra jetonin në emigracion. Viktima ishte i divorcuar prej vitesh me bashkëshorten, ndërsa autori i ngjarjes dyshohet se kishte probleme mendore.

Ai ishte fejuar disa muaj më parë, ndërsa do të martohej në mesin e janarit. Debati mes autorit e viktimës ka nisur brenda ambienteve të shtëpisë dhe më pas është zhvendosur në oborr. Aty ka ndodhur edhe krimi i rëndë.

Sipas Policisë, Selman Aliaj ka goditur disa herë me çekiç në kokë të atin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas, për të fshehur vrasjen, ai e ka mbështjellë trupin me një qilim, e ka futur në automjetin tip “Volkswagen” dhe e ka transportuar natën drejt Liqenit të Farkës. E ka hedhur në afërsi të një prej kanaleve kulluese të liqenit dhe është kthyer në shtëpi.

ZBULIMI I VRASJES

Për më shumë se 24 orë, përveç autorit të krimit, askush nuk kishte dijeni për vrasjen e kryefamiljarit Fejzi Aliaj. Të shtunën është kthyer nga Anglia djali tjetër i viktimës, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar festat me të atin e vëllain.

Ai nuk e ka gjetur babanë në shtëpi dhe Selman Aliaj i ka thënë se ishte larguar prej të premtes dhe nuk ishte kthyer. I shqetësuar, djali i është drejtuar Policisë, ku ka denoncuar humbjen e të atit. Policia ka nisur menjëherë verifikimet, duke shkuar fillimisht në banesën e tij në Shkozë. Dyshimet për vrasjen e mundshme kanë nisur menjëherë sapo efektivët e Policisë kanë konstatuar njolla gjaku në oborr.

Por, kur kanë kërkuar që të pyesnin djalin tjetër, me të cilin jetonte 74- vjeçari, kanë kuptuar se ai ishte larguar me makinën “Voklswagen”, edhe pse nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Menjëherë targa e mjetit u është dhënë shërbimeve dhe është arritur të ndalohet në Kamzë.

Nga këqyrja e automjetit, janë zbuluar gjurmë gjaku dhe çekiçi, me të cilin ai kishte goditur të atin. Selman Aliaj është shoqëruar menjëherë në Polici dhe, i përballur me provat, ka pranuar krimin.

Më pas, ka treguar edhe vendin ku e kishte hedhur të atin pasi e kishte vrarë. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga liqeni. Ndërsa autori i dyshuar i krimit ka pranuar autorësinë duke deklaruar se: “E vrava, sepse donte të më martonte. Më kishte thënë se nusen time do e ndanim bashkë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat