Berisha flet për ‘atentatin ndaj Bashës’, lajmëron ribashkimin e PD

Shqipëria

Berisha flet për ‘atentatin ndaj Bashës’, lajmëron ribashkimin e PD

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 11:03
Sali Berisha dhe Edi Rama

Ish-kryetari demokrat, Sali Berisha ka deklaruar se janë bërë disa hapa për kapërcimin e ndarjes së thellë të kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha, me ish-deputetët e larguar Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami etj.

Në emisionin ‘360 gradë’, në Ora News, Berisha theksoi se të larguarit kanë peshën e tyre specifike të pamohueshme dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe Basha.

Ai kërkoi prej Bashës dhe grupit kundërshtar të tij që të mos mbeten peng i fjalëve dhe deklaratave.

“Në mënyrë të padiskutueshme, investimi i çdo njeriu në PD ka peshën specifike të pamohueshme. Disa hapa po bëhen. Ka disa hapa, ekziston një vullnet mesa shoh unë për t’i kapërcyer (ndarjet). Në politikë nuk mund të mbetet dikush peng i fjalëve dhe deklaratave. Unë mendoj se pavarësisht fjalëve dhe deklaratave, asgjë nuk shuan kontributin e tyre. Unë besoj se ata janë të vetëdijshëm për këtë sikundër kryetari i PD-së është absolutisht i vetëdijshëm”, u shpreh Berisha.

Në bisedë me Artur Zhejin, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi një konspiracion, sipas të cilit ka pasur dyshime se dy rusë mund të vrisnin kreun e opozitës.

Zheji tha se ka pasur spekulime se atentati ishte parandaluar nga informacionet e shërbimeve amerikane.

Berisha, duke i qëndruar dyshimeve se teoria mund të mos ishte e vërtetë, tha se nëse rusët janë dëbuar, logjika të çonte se porosia ishte dhënë nga Edi Rama.

Në të kundërt, dy rusët duhej të ishin gjykuar dhe jo të shpalleshin non-grata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat