Rikonstruktohet shkolla e Shkallë-Dajtit, Veliaj: Mirënjohje vullnetarëve

Shqipëria

Rikonstruktohet shkolla e Shkallë-Dajtit, Veliaj: Mirënjohje vullnetarëve

Më: 19 dhjetor 2017 Në ora: 13:29
Pamje nga vizita

Bashkia e Tiranës, në partneritet me nismën “Fundjavë Ndryshe” kanë mundësuar rikonstruksionin e një shkolle në Shkallë-Dajt, duke e pajisur me bazën e nevojshme materiale dhe duke lënë pas krahëve imazhin e një godine të degraduar, ku nxënësit ishin të detyruar që hapësirën e mësimit ta ndanin me magazinimin e druve dhe materialeve të tjera.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve dhe theksoi se kjo shkollë është një tjetër dëshmi e vëmendjes, që ka Bashkia ndaj zonave rurale.

“Sot jemi në shkollën më të vogël të Bashkisë së madhe të Tiranës, ndërkohë që vitin e filluam në shkollën më të madhe të Bashkisë së Tiranës, te gjimnazi ‘Qemal Stafa’, me rikonstruksionin e godinës. Shkolla e fshatit Shkallë ka më pak nxënës sesa klasa më e vogël në Tiranë, por ka një parim: Një për të gjithë, të gjithë për një! Kjo do të thotë se duhet të ofrojmë të njëjtin shërbim, si në qendër të Tiranës, si në Bllok, si brenda Unazës, si në zonat periferike, deri në stacionin tonë të fundit, që është shkolla e fshatit Shkallë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu mirënjohje për kontributin që kanë dhënë vullnetarët dhe aktorë të tjerë në rikonstruksionin e kësaj shkolle, duke theksuar se vullnetarizmi është i nevojshëm në Tiranë.

“Dua të falenderoj të gjithë kolegët që kanë kontribuar, sidomos nismën ‘Fundjavë ndryshe’, Arbrin, dhe miqtë e tjerë të fondacionit. Në Shqipëri, njerëzit janë ndarë në dy kategori. Ka një kategori që bën vetëm vërejtje, por ka një kategori tjetër që e sheh problemin dhe, në vend që të bëjë vërejtje, thotë ‘a mund të ndihmoj unë që kjo të zgjidhet?’. Kjo është kategoria që përfaqëson ‘Fundjava ndryshe’ dhe të gjithë vullnetarët fantastikë të qytetit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shfrytëzoi rastin që të ftojë bizneset dhe këdo tjetër që ka mundësi, të kontribuojnë për të ndihmuar qytetin për ta bërë atë më të mirë. Veliaj theksoi se dy vitet e dyta të mandatit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës do të jenë të fokusuara veçanërisht te zhvillimi i infrastrukturës në fshat, si e vetmja mundësi për t’i trajtuar njerëzit me të njëjtin standard, pavarësisht nëse jetojnë në një zonë rurale, apo në zonë urbane.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat