Basha në Londër: Ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë, në datë 18…

Shqipëria

Basha në Londër: Ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë, në datë 18…

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 15:49
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Londër,  bashkëbisedoi me komunitetin shqiptar atje. Aktualiteti në Shqipëri ishte në vëmendjen kryesore dhe pyetjet e tyre ishin për çështjen e kryeprokurorit, krimit të organizuar, fuqizimit të Partisë Demokratike. Lidhur me çështjen e kryeprokurorit, Basha e krahasoi vendimin e Edi Ramës për ta marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat. Basha tha se shqiptarët e kanë vuajtur këtë nën diktaturë dhe se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, Qeverinë dhe Drejtësinë.

“Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë 18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”- tha Basha. Kreu i opozitës tha se e vetmja rrugë për një drejtësi të reformuar kalon përmes zbatimit të Kushtetutës siç u miratua në 22 Korrik 2016. I pyetur për situatën e kriminalitetit, lidhjet e qeverisë me krimin dhe alternativën e Partisë Demokratike, Basha tha se duke mbrojtur dhe promovuar kriminelët, Edi Rama e ka futur Shqipërinë në listën e zezë. Lulzim Basha tha se Partia Demokratike e ka treguar me prova, si në rastin e heqjes së vizave, se ka vullnet për ta luftuar krimin.

“Krimin do ta shtypim dhe Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Europian dhe shqiptarët nuk do të shkojnë më si refugjatë, por do të shkojnë të punojnë siç punojnë polakët, bullgarët, rumunët, me kokën lart me pasaportë shqiptare dhe të kenë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ky është qëllimi im. Ky është objektivi qe i kam vënë vetes.” –tha Kryetari Basha. Me demokratët e Londrës kreu i opozitës diskutoi për demokratizimin e mëtejshëm të PD-së, në mënyrë që të tërheqë pranë vetes intelektualët dhe këdo që beson tek vlerat.

“Një prej këtyre vlerave është demokracia-tha Basha. Në Degën e PD-së Londër zbatohet parimi një anëtar një votë. Këtë formë duhet ta kemi në të gjithë PD-në”. Basha përfshiu këtu edhe zgjedhjen e deputetëve demokratë. “Pavarësisht rrethanave të zgjedhjeve të këtij viti, e kam thënë që deputetët e ardhshëm të Partisë Demokratike do të vijnë sipas parimit një anëtar një votë”- Basha. Kreu i opozitës u shpreh se “do të bëjë përpjekje që ky parim të bëhet realitet që në zgjedhjet bashkiake, për ta testuar në 2-3 qytete të mëdha dhe për ta shtrirë pastaj në të gjithë vendin”.

Basha tha se Partia Demorkatike është e vetmja forcë që mund të sjellë një ndryshim pozitiv për vendin dhe qytetarët, prandaj edhe beteja kryesore e saj është ajo për zgjedhje të lira e të ndershme. Gjatë qëndrimit në Londër, kryetari Basha u takua me parlamentarë dhe zyrtarë të lartë te Qeverisë Britanike dhe Foreign Office. Lulzim Basha ndodhet ne Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May. Ai mori pjesë ne konferencën mbi “Sfidat në Ballkanin Perëndimor”. Konferenca e ardhshme e rrjetit të partive të qendrës së djathtë të Ballkanit Perëndimor dhe konservatorëve britanikë do të mbahet në Tiranë në Mars 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat