Veliaj rinis biznesin e plehrave në Sharrë, ku u vra Ardit Gjoklaj

Shqipëria

Veliaj rinis biznesin e plehrave në Sharrë, ku u vra Ardit Gjoklaj

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 11:41
Ardit Gjoklaj

Lida*, nënë e dy fëmijëve dhe banore e një lagjeje periferike në Tiranë iu drejtua bashkisë së Tiranës në kërkim të një pune në muajin shtator. Një punonjës i ndërmarrjes së pastrimit i sugjeroi të paraqitej në Sharrë, ku një kompani riciklimi mbetjesh sapo kishte filluar punë në landfill. “Unë shkova u interesova në bashki për punë. Atje më thanë se në Sharrë është hapur landfilli dhe po të paraqitesha aty mund të me merrnin në punë. Erdha takova përgjegjësin që është Genci dhe më tha të filloj direkt,” tregon ajo, duke shtuar se i ishte premtuar një pagesë prej 800 lekësh në ditë. “Procesi (i punës) është i vështirë, gjithë ditën në këmbë dhe për 800 lekë është shumë pak,” shtoi ajo. Lida nuk është punëtorja e vetme në landfill. Kompania e re e ricklimit ka rreth 20 punëtorë dhe intervistat e BIRN me disa prej tyre dëshmojnë se e kanë filluar punën e rrezikshme të patrajnuar dhe pa sigurime shoqërore. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se operacionet e riciklimit në Sharrë kanë rifilluar nga kompania Meg Albania sh.p.knjë kompani e themeluar në vitin 2008 në Këlcyrë. Në shkurt 2017, kompania ka hapur një adresë dytësore në landfillin e Sharrës ndërsa në muajin korrik ajo është pajisur me leje mjedisore të Tipit B nga Ministria e Mjedisit për operacionet e veta të riciklimit.

Aksioneri kryesor i kompanisë Meg Albania është biznesmeni Vladimir Fezga, i cili më parë ka qenë ndërmjetësi i marrëveshjes midis bashkisë së Veronës dhe bashkisë së Tiranës për themelimin e kompanisë së pastrimit të kryeqytetit ‘Eco Tirana’ në maj 2016. BIRN e pati të pamundur të verifikonte marrëveshjen kontraktuale që e çoi kompaninë Meg Albania në landfillin e Sharrës. Por në korrik 2017 rezulton se Meg Albania hyri në ortakëri me kompaninë publike “Eco Tirana” dhe të dyja së bashku themeluan një kompani të re të quajtur “Eco Recycling”. Ekstraktet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB tregojnë se “Eco Tirana” dhe “Eco Recycling ndajnë të njëjtën zyrë në katin e shtatë të ‘Gjergji Center’ në Tiranë, ndërkohë që Meg Albania është e regjistruar në të njëjtën godinë, në katin e tetë. BIRN iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi bashkisë së Tiranës për kontratën me anë të së cilës Meg Albania operonte në landfill, por bashkia mohoi se një kontratë e tillë ekziston. Në përgjigje të një kërkese të ngjashme, kompania ‘Eco Tirana’ tha se nuk kishte kontratë me ‘Meg Albania’ për përdorimin e mbeturinave në Sharrë, por sipas saj, dy kompanitë kishin themeluar një kompani të përbashkët të quajtur ‘Eco Recycling.’ E pyetur për akuzat se kompania që drejtonte fabrikën e ricklimit në Sharrë nuk i kishte trajnuar punëtorët dhe nuk i kishte siguruar ata, bashkia e Tiranës në fillim u shpreh se do të përgjigjej ‘shpejt’, por më pas nuk ktheu përgjigje.

Bashkia gjithashtu nuk komentoi nëse krijimi i kompanisë “Eco Recycling’ me aksioner Meg Albania dhe administrator Vladimir Fezgan përbënte konflikt interesi, pasi ky i fundit kishte negociuar marrëveshjen me bashkinë e Veronës. Përpjekjet e BIRN nëpërmjet vizitave në zyrë, email-it dhe telefonit për të marrë shpjegime nga Meg Albania dhe aksioneri i saj Vladimir Fezga nuk morën përgjigje. I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, administratori i Meg Albania, Kamber Elezi në fillim mohoi që kompania e tij punonte në Sharrë. Pasi BIRN i përmendi lejen mjedisore dhe adresën në QKB, Elezi pranoi se Meg Albania drejtonte fabrikën e riciklimit në landfill. Biznesi i rrezikshëm i Sharrës Meg Albania nuk është kompania e parë që menaxhon fabrikën e mbetjeve në Sharrë. Më shumë se 1 vit më parë, kjo fabrikë ishte nën pronësinë e kompanisë ‘3R,’ ku një numër i madh punonjësish ishin rekrutuar në të zezë dhe punonin në mungesën totale të kushteve të sigurisë. Në gusht 2016, mungesa e trajnimit dhe e sigurisë së punës në fabrikë krijoi kushtet për aksidentin tragjik që i mori jetën njërit prej punonjësve të saj më të rinj- 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Trupi i Ardit Gjoklajt u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës mesditën e 7 gushtit 2016. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen, që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit polic. Një vit pas vdekjes së Arditit, situata në Sharrë nuk ka shumë ndryshime. Punëtorët e fabrikës që tani menaxhohet nga Meg Albania ankohen se puna është e vështirë, ata janë të patrajnuar dhe se pagesa bëhet sërish në të zezë. “Por çfarë kualifikimi? Mua më kanë marrë se kam punuar një vit tek kompania tjetër. Ndërsa sot filluan punë dy burra të rinj dhe Genci më tha mua që t’u tregoja se si punohet.

Unë u thashë pse duhet ta bëj unë dhe ata më thanë se ti ke eksperiencë dhe duhet t’u tregosh punën të tjerëve,” tregon Alma, nënë e tre fëmijëve. “Jemi rreth 20 veta dhe na kanë thënë se shumë shpejt puna do të fillojë me dy turne, se do të merren dhe punonjës të tjerë. Për këtë na mbajtën pas pune dhe bëmë mbledhje. Genci na tha që të ulnim kokën të punonim ose nëse nuk na pëlqen, të iknim. Këto ishin kushtet. Ç’të bëjmë, unë jam hallexhie dhe dua punë,” shtoi ajo Mungesa e trajnimit të punëtorëve pranohet dhe nga punonjës të tjerë në fabrikën e riciklimit. “Unë shkova sot për të punuar dhe fillova direkt. Një shoqja ime më tha se është hapur puna në Sharrë ndaj dhe u paraqita që në 9 të mëngjesit,” tregon Majlinda, nënë e 5 fëmijëve. “Shkova tek dera, i thashë rojes se dua të punoj dhe ai më dërgoi tek Genci. Gencin e njoh mirë sepse tek ish kompania e vjetër punonte si roje, ndërsa tani e kanë bërë përgjegjës. Më dhanë ca rroba me mbishkrimin e bashkisë së Tiranës, maskë dhe një dorezë dhe fillova punë direkt,” shtoi ajo. Majlinda tregoi se puna është shumë e lodhshme dhe punëtorët keqtrajtohen nga menaxherët e kompanisë. “Unë po punoja dhe vjen Genci dhe më bërtet sikur të isha një plehrë. Ulëriti aq shumë vetëm pse mua më shpëtoi një bidon. Ia ktheva dhe u zumë keq. Në atë moment ndërhyri përgjegjësi tjetër dhe më tha që të kisha kujdes se do të fluturoja nga vendi i punës. Më tha [se] nëse nuk do bindesha s’kisha më vend aty,” kujtoi ajo. Alma, e cila ka punuar gjithashtu në kompaninë ‘3R’, tha se kushtet tani janë më të mira por sjellja e përgjegjësve të turnit “është çnjerëzore”. “Me thënë të drejtën sa i përket ambienteve janë më mirë, ka ndriçim dhe ka kushte më serioze, por ama sjellja e këtyre që na drejtojnë është ordinere. Bërtasin çdo sekondë dhe as një moment nuk mund të rrish. Nëse të shohin një sekondë që rrimë ulërasin. Nuk janë njerëz, por ne jemi hallexhinj. Në shtëpinë time burri është pa punë, fëmijët i kam të vegjël. Duam të hamë,” tha ajo. Administratori i Meg Albania, Kamber Elezi hodhi poshtë ankesat e banorëve në një bisedë telefonike me BIRN si dhe dëshmitë e tyre se vazhdojnë të punojnë në të zezë. “Nuk është e vërtetë … ata punojnë normalisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat