27-vjetori i Partisë Demokratike, Basha bën thirrje për një bashkim të madh

Shqipëria

27-vjetori i Partisë Demokratike, Basha bën thirrje për një bashkim të madh

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 19:10
Lulzim Basha

Partia Demokratike po feston sot 27-vjetorin e themelimit të saj, si e para forcë politike opozitare e krijuar pas shembjes së komunizmit dhe ardhjes së sistemit pluralist.

Në fjalën e mbajtur kreu i PD-së Lulzim Basha falënderoi liderin historik Sali Berisha duke shtuar se PD gjithmonë është kthyer te vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, duke u ngritur më e fortë nga çdo rrëzim.

“Euratlantizmi i shkrirë me vlerat tona atdhetare është pasaporta, identiteti ynë politik. PD ia ka dalë të mbetet e madhe, të ngrihet nga hiri, ia ka dalë në nisje të reja, ia ka dalë të qeverisë me sukses si asnjë forcë tjetër politike në vend. E gjithë kjo pasi PD ka ditur të reflektojë. Sepse ka vendosur të parin interesin e vendit. Ka pasur vetëdijen e forcës së bashkimit dhe ka ditur të bashkohet”, tha Basha.

Mandej kryedemokrati u bëri thirrje të gjithë demokratëve që në këtë ditë të bashkohen për të mirën e PD-së dhe Shqipërisë.

“PD nuk bleu vota nuk angazhoi kriminelë. Forca jonë, besimi ynë, më shumë se kurrë sot janë alternativa, programi, bashkimi. Sot dua të ftoj çdo demokrat që të luftojmë të gjithë bashkë për PD-në, bijën dhe luftëtaren e paepur të demokracisë dhe lirisë. Le të mbështetemi te frymëzimi dhe idealizmi që e solli këtë parti në jetë. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë që ne demokratët të plotësojmë misionin dhe destinin tonë hyjnor dhe historik. Le të jetë kjo ditë e 27-vjetorit tonë dita e një bashkimi të madh… Gëzuar 27-vjetorin e PD-së! Zoti e Bekoftë Shqipërinë!”, shtoi kreu i PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat