Tërhiqet uji, 80% e familjeve rikthehen në shtëpi

Shqipëria

Tërhiqet uji, 80% e familjeve rikthehen në shtëpi

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 22:34
Permbytjet

Moti në vendin tonë ka ardhur drejt përmirësimit. Prurjet nga Vjosa kanë rënë nën nivelin kritik dhe lumi është kthyer në shtratin e tij.

Si rrjedhojë e investimeve në kanalet kulluese dhe mirëfunksionimit të hidrovoreve, uji është tërhequr me shpejtësi nga zonat e përmbytura.

Strukturat shtetërore janë angazhuar pa ndërprerje, me fokus kryesor largimin e ujërave dhe mbetjeve nga banesat, duke mundësuar kthimin e rreth 80% të familjeve të evakuuara në shtëpitë e tyre. 

Ndërkohë ka vijuar puna për ngritjen e argjinaturës së re në Darëzezë dhe ka përfunduar në kohë rekord prej vetëm 18 orësh kryesisht gjatë natës ndërtimi i urës së prishur.

Akset kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve rurale, ku po vijon puna për zhbllokimin e tyre. Gjithsesi, reshjet kanë shkaktuar dëme në ura dhe segmente rrugore, të cilat kërkojnë ndërhyrje afatgjatë.

Furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur. Janë marrë masat që mësimi nesër të rifillojë edhe në 13 shkolla të tjera, nga 28 që nuk u hapën sot. 

Ka filluar shpërndarja e ndihmave dhe inventarizimi i plotë e transparent i dëmeve për kompensimin e tyre. 

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka hapur llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë në ndihmë të qytetarëve të prekur dhe në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjesëtarët e strukturave shtetërore e private që janë angazhuar në operacionet në terren për përballimin e situatës, si dhe vlerëson ndihmat dhe gatishmërinë e fqinjëve, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve për përballimin e gjendjes dhe riparimin e dëmeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat