Bashkia e Tiranës vijon shpërndarjen ushqimeve për familjet në nevojë në zonat periferike

Shqipëria

Bashkia e Tiranës vijon shpërndarjen ushqimeve për familjet në nevojë në zonat periferike

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 14:03
Erion Veliaj

Bashkia e Tiranës dhe rrjeti i vullnetarëve vijuan shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë në zonat e prekura nga vështirësitë e shkaktuara si rrjedhojë e shirave të dendur të ranë gjatë ditëve të fundit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe vullnetarët e rinj sot shpërndanë ndihma ushqimore dhe veshmbathje për banorët e zonës së Sharrës në Kombinat. Ai u shpreh mirënjohës për gjithë skuadrat e vullnetarëve që janë shpërndarë në çdo cep të Tiranës për të shpërndarë ndihma për çdo familje në nevojë.

“Kemi zgjedhur që të gjithë njerëzve në listën e ndihmës ekonomike t’ju çojmë paketa ushqimore që, teksa merren me rregullimin e shtëpisë dhe kujdesin ndaj fëmijëve, të mos shqetësohen për çështjet e ushqimeve dhe veshmbathjeve. Sot jemi duke shpërndarë ndihma në gjithë zonat periferike të Tiranës, kryesisht zona e Kombinatit, zonat e Bregut të Lumit, zonat e Shkozës, në zonën e Alliasit, ndaj dua të shpreh mirënjohjen time për stafin e bashkisë që, edhe pse jemi në fundjavë, është në krye të detyrës për t’u siguruar që jo vetëm nuk kemi probleme me përmbytjet, por dalim akoma më të fortë falë kësaj situate dhe këtij angazhimi njerëzor që kemi pasur”, tha kryetari Veliaj.

Ndërsa zonat urbane për shkak të investimeve afatgjata nuk pati probleme nga shirat, kryebashkiaku theksoi se vëmendja e Bashkisë së Tiranës në këto ditë është përqendruar kryesisht në zonat rurale, ku ka patur rrëshqitje dherash apo probleme me transportin. “Fokusin më të madh e kemi në zonat rurale, kështu që me ndërhyrjet që kemi bërë në zonat rurale, në zonën e Zall-Herrit, në zonën e Krrabës, në zonën e Pezës kemi pasur shumë shumë më pak probleme se herët e tjera. Megjithatë, për efekt të erozionit, pra kodra që shemben nga prerja masive që u është bërë drurëve, besoj se natyra na ka dhënë një mesazh, kështu që me të mbaruar situata e krizës, me të mbaruar emergjenca, do të fokusohemi për t’i rikuperuar sa të mundemi natyrës mbrapsht atë që i kemi marrë ndër vite. Shumicën e mbjelljeve që po bëjmë për Pyllin Orbital do ta kalojmë edhe në zonat rurale, edhe në kodrinat rreth e rrotull Tiranës, që të mos kemi më rrëshqitje të kodrave që vijnë kryesisht nga një tahma e paprecedentë kundër natyrës, për të prerë drurë, shkurre, bimësinë dhe për të ndërtuar ngrehina vend e pavend”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi faktin se edhe kësaj here Tirana u tregua solidare, duke iu përgjigjur nevojave që ka qyteti në këto momente. “Dua të falenderoj jo vetëm vullnetarët që kanë qenë në çdo cep të Tiranës, por edhe bujarinë e paimagjinueshme të sipërmarrjeve të Tiranës dhe familjeve tiranase. Unë besoj se një qytet, sado i madh që të jetë, si Tirana, sado probleme të ketë, mbahet fort i lidhur kur ka raste të tilla fatkeqësish, ku njerëzit bëhen solidarë edhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Dua t’i falenderoj të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe pavarësisht se nga ana e infrastrukturës i bëmë ballë shumë mirë këtyre reshjeve të paprecedenta, ajo që besoj se ishte më e çmuar dhe që na nderon ishte se si i bëjmë ballë me solidaritet gjithë pasojave që krijohen në situata të tilla”, u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur te situata e furnizimit me ujë, ai falënderoi qytetarët për mirëkuptimin e treguar, ndërsa bëri të ditur se tashmë impianti i Bovillës ka filluar të funksionojë normalisht. “Jam sot shumë i kënaqur që Tirana ka rikuperuar furnizimin me ujë. Dua t’i falenderoj të gjithë kolegët e ujësjellësit. Kanë bërë një punë  heroike. Mënyra se si funksionon rezervuari, duke qenë se është i hapur, turbullohet nga gjithë rrëkenjtë, përrenjtë dhe mbetjet që vijnë nga malësia rreth Bovillës. Megjithatë, brenda 24 orëve u rikuperua. I falenderoj qytetarët për durimin, për mirëkuptimin. Kërkoj ndjesë për atë anomali, pavarësisht se nuk ishte në duart tona, por në duart e natyrës. Megjithatë, siç rrëzohemi të gjithë bashkë, ashtu ngrihemi edhe të gjithë bashkë dhe kjo bën nder si qytetarë të Tiranës”, theksoi kryebashkiaku.

Ai gjithashtu, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duan që këto ditë të japin kontributin e tyre, qoftë duke ofruar ndihma materiale apo edhe të ofrojnë ndihmë fizike duke i shpërndarë ato, t’i bashkohen ekipeve të bashkisë dhe rrjetit të vullnetarëve. “Për të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë, jemi ende duke rekrutuar vullnetarë për të ndjekur shumë prej këtyre problematikave dhe jemi ende në pritje të ndihmave. Do të thotë që, në qoftë se ka biznese që ende duan të kontribuojnë, tani që pothuajse kemi mbaruar me ndihma në Tiranë kemi mundësi të shprehim solidaritet edhe për Fierin, edhe për Vlorën, dhe ku të ketë nevoja të tjera, duke çuar paketa ushqimore dhe veshmbathje nga Tirana”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat