Kokëdhima: Mëlçitë janë në qafë të ujkut, mos prisni të mbetet gjë për drejtësinë

Shqipëria

Kokëdhima: Mëlçitë janë në qafë të ujkut, mos prisni të mbetet gjë për drejtësinë

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 20:42
Koço Kokëdhima

Kreu i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, deklaron se qeveria e Edi Ramës është ujku i vërtetë i drogës, kësisoj “mëlçitë janë në qafë të ujkut” sa i takon drejtësisë.

Përmes një deklarate për shtyp, ZGJIDHJA e cilëson si qesharak dhe të turpshëm urdhrin e Edi Ramës ndaj ministrit të Brendshëm për dekonspirim të aksionit policor për arrestimin e tre ish-drejtorëve të policisë.

ZGJIDHJA thekson se Rama mbetet arkitekti dhe presidenti i sipërmarrjes që kriminalizoi shtetin e mandej mbarë shoqërinë shqiptare.

Deklaratë për shtyp e ZGJIDHJA-s

Mëlçitë janë në qafë të ujkut, mos prisni të mbetet gjë për drejtësinë

Urdhri i Ramës ndaj ministrit të Brendshëm për të denoncuar në prokurori ata që dekonspiruan aksionin e Policisë së Shtetit për arrestimin e tre ish-drejtorëve të policisë, është qesharak, i turpshëm dhe i neveritshëm. Edi Rama nuk mund të arrestojë ndonjë prej pjesëtarëve të kartelit të drogës, me të cilët ai vetë kanabizoi vendin në vitin 2016. Ai ishte arkitekti dhe presidenti i kësaj sipërmarrjeje që kriminalizoi tërë strukturat e shtetit dhe gjithë shoqërinë. Tahiri ishte CEO. Drejtorët dhe shefat e policisë së Shtetit ishtin bordi drejtues i kartelit të drogës. Vetëm policët e thjeshtë që u bënë kositës dhe hamenj të trafikantëve të kanabisit nuk kishin lidhje direkte me qeverinë. Tre policët që thuhet se tani ia kanë mbathur, janë vetëm një pjesë e vogël e kësaj piramide qeveritare të mafies së kanabisit, një hallkë e atij zinxhiri të gjatë komandues që urdhërohej nga selia e qeverisë. Luftën kundër kriminelëve të drogës nuk mund ta bëjë qeveria e drogës dhe arrestimin e drejtorëve të policisë nuk mund ta bëjë policia e drogës. Qeveria e Ramës është ujku i vërtetë i drogës! Ja pse mëlçitë janë në qafë të ujkut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat