PD: Kryeprokurorin nuk e zgjedh Rama, do ta pengojmë

Shqipëria

PD: Kryeprokurorin nuk e zgjedh Rama, do ta pengojmë

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 17:22
Lulzim Basha

Në mëse se një rast, Partia Demokratike e Shqipërisë ka denoncuar zyrtarët e policisë për të cilët ka mandat arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si të lidhur me trafikun e drogës.

 Konfirmimi i këtyre akuzave deri dje politike nga një kërkesë e prokurorisë, i dhanë argument Lulzim Bashës që të kërkojë edhe njëherë largimin e Kryeministrit Edi Rama.

“Lufta kundër krimit, duke filluar nga dekriminalizimi dhe pastrimi total i qeverisë, policisë dhe i gjithë strukturave të shtetit nga kriminelët dhe individët e kriminalizuar, është sot prioriteti kryesor kombëtar. Hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i vendit. Çdo ditë që kalon konfirmon se ai është pengesa kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit në Shqipëri. Qëllimi i tij i vetëm sot është mbajtja e pushtetit me çdo kusht”, tha Basha.

Basha tha se Rama ka një strategji me tre pika për të mbajtur pushtetin: të mos dorëzojë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, të kapë organet e drejtësisë dhe të manipulojë opinionin publik. Prandaj kryeprokurorin e ri, sipas Lulzim Bashës, nuk mund ta zgjedhë Kryeministri Rama.

“Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërmori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve vetëm sepse kërkuan hetimin dhe arrestimin e Saimir Tahirit nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm. Një prokuror i përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri” e do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaroi kreu i PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat