Ministria e Financave: S’ka rritje pensionesh, vetëm indeksim

Shqipëria

Ministria e Financave: S’ka rritje pensionesh, vetëm indeksim

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 15:22
Komisioni i ligjeve

Në Komisionin e Ligjeve ku u miratua nen për nen projektbuxheti për vitin 2018 anëtarët e opozitës deklaruan se qeveria përmes këtij buxheti ka rritur taksat vendore, ndërsa ka ulur pensionet. Mbledhja është shoqëruar me debate të forta mes anëtarëve, ku kreu i komisionit, Ulsi Manja, është përplasur me deputetin e djathtë, Eduard Halimi, dhe të shuar sherrin ka ndërhyrë socialisti Bashkim Fino. Por deputeti demokrat Eduard Halimi, i është përgjigjur Finos se ky është buxheti i krimit dhe jo i qytetarëve. “Buxheti i shtetit është 3.4 miliardë euro dhe kam këtu një reportazh të BBC. Sipas këtij reportazhi xhiroja vjetore e mafias në Shqipëri është 5 miliardë euro.

Më i madh se buxheti i shtetit”, tha Halimi. Deputeti socialist Fino e quajti kolegun e tij demokrat kasetë që nuk pushon. Në mesin e ligjeve të miratuara ishte dhe taksa e pronës, ku deputetja demokrate Dhurata Çupi akuzoi qeverinë se po centralizon ekonominë në duart e klientëve të qeverisë, duke kërcënuar autonominë e bashkive. Ligjvënësja demokrate tha se me këtë ligj po rriten taksat për pronën.

Ndërsa relatori i këtij projektligji, Bledi Çuçi e ka kundërshtuar qëndrimin e deputetes së PD-së, pasi, sipas tij, nga llogaritjet e bëra, taksat jo vetëm që nuk do të rriten, por madje do të ulen. Të pranishëm në komision ishin dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave e zënë ngushtë nga deputetët e opozitës tha: Nuk ka rritje të pensioneve por ligji kërkon vetëm indeksim e parashikuar.

Debatet

Dhurata Çupi: Neni katër duhet të ndryshojë totalisht sepse cenon autonominë financiare të bashkive. Që ta dinë qytetarët përmes këtij ligji rriten taksat e pronës për të gjithë qytetarët.

Bledi Çuçi: Nga llogaritë e bëra, për sa i përket vlerës rezulton që nëse do të vilet sot taksa me masën që është vënë në ligj del më e ulët në total se sa taksa që është mbledhur, nëse do të mblidhet me metodologjinë e vjetër me taksën fikse që ka pasur.

Eduard Halimi: Xhiroja vjetore e drogës në vit 5 miliardë euro. Buxheti i shtetit 4 miliardë euro. E thotë reportazhi i BBC.

Ulsi Manja: Po e tha BBC dhe ti, është e vërtetë.

Eduard Halimi: Kjo tregon se mafia në Shqipëri e ka mundur shtetin. Mafia ka buxhet më të madh se shteti. Paratë e krimit shkojnë në xhepat e kompanive që do marrin tenderat.

Ulsi Manja: Të bëhemi seriozë. Nuk ka lidhje kjo me buxhetin.

Halim Halimi: 90 tendera me 20 milionë euro ka marrë në një vit një kompani në Elbasan. A ka lidhje kjo me trafikun e drogës?

Bashkim Fino: Ne duhet të bëjmë punë në këtë komision. Sillni amendamente, nëse doni. Ky nuk pushon. Nuk mund të hapësh kasetën që lëshove para tre ditësh.

Ulsi Manja: Ke të drejtë, por nuk ja prish dot z. Halimi se e kam nënkryetar.

Nasip Naço: Kryetar mos bini nën presionin e z. Fino. Na lër të diskutojmë nen për nen. Të bëjmë pyetjet e të sqarohemi.

Ulsi Manja: Po të dëgjojmë.

Nasip Naço: 125 milionë lekë jepen për indeksimin e pensioneve. Janë rritur pensionet apo në fund të vitit ju jepni një kaposh deti?

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave: Nuk janë rritur. Ligji kërkon vetëm indeksim. Fondi për indeksim është parashikuar.

Nasip Naço: Ka vetëm indeksim të nderuar qytetarë. Për këtë arsye do të votoj kundër nenit 4. Nuk janë rritur pensionet. Keni hequr vetëm taksat për shtresën e varfër. Nuk mendoni për të varfërit. Lojërat e fatit nuk i taksoni. Ata i keni xhan të gjithë. Doni që ata të pasurohen.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave: Po pra ka vetëm indeksim.

Reagimi

Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, duke bërë dhe një përmbledhje të mënyrës si do ndahet buxheti i 2018, deklaroi se kishte rënë dakord me Minisrinë e Financave që 30 milionë lekë shtesë t’i shkojnë Presidencës, 2 milionë lekë shtesë për Avokatin e Popullit, ndërsa Prokurorisë nuk i jepen punonjës shtesë. “30 milionë lekë shtesë Presidencës. Prokurorisë nuk i japim punonjës shtesë.

I kanë aty nëse ju duhen nga Reforma në Drejtësi. 2 milionë lekë shtesë për Avokatin e Popullit. Gjykata Kushtetuese 8 punonjës dhe 11 mln lekë shtesë. ILDKP-së i japim 4 milionë lekë. Hapjes së dosjeve i japim 30 milionë lekë për godinën. Shkolla e magjistraturës 4 punonjës shtesë dhe 24 milionë lekë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 15 milionë lekë shtesë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat