Rama sulmon ashpër Akademinë e Shkencave: U bëtë kufomë e vetvetes

Shqipëria

Rama sulmon ashpër Akademinë e Shkencave: U bëtë kufomë e vetvetes

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 12:59
Pamje nga takimi

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me grupin e Akademisë së Shkencave, lidhur me reformën në këtë institucion. Gjatë takimit, nuk kanë munguar kritikat e ashpra të Ramës, që i është drejtuar akademikëve. “U krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes, ndërsa sot është kthyer në kufomën e vetvetes”, është shprehur Rama. Në takim merrnin pjesë një numër i madh profesorësh, para të cilëce Rama tha se “pavarësisht ftesës dhe përpjekjes së qeverisë, nuk patëm asnjë reagim që të na nxiste në këtë proces dhe që të na përfshinte në këtë proces, ku humbëm, humbët më shumë se një vit në një inerci që është inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm”.

“Duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propozime konkrete mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët për një sintezë të arsyeshme në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër. E vërteta është që pavarësisht ftesës dhe përpjekjes sonë, ne nuk patëm asnjë reagim që të na nxiste në këtë proces dhe që të na përfshinte në këtë proces, ku humbëm, humbët më shumë se një vit në një inerci që është inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni që dikur u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes shqiptare dhe sot është burim pezmatimi permanent për të mos thënë brengë për të gjithë ata që e themeluan Akademinë e Shkencave dhe i dhanë asaj shkëlqimin e autoritetit të tyre”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se ishte pikërisht kjo situatë që “na ka shtyrë të çojmë përpara idenë e refuzimit për ta financuar më tutje këtë institucion me paratë e taksapaguesve shqiptarë”.

“Siç e kam thënë edhe në diskutimin që kemi pasur më parë, e vërteta është që Akademia e Shkencave sot është kufoma e vetvetes, ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues dhe më vjen mirë që kam përballë një ndër studiuesit më të nderuar dhe një nga zanafillorët e Akademisë, profesor Luan Omarin i cili është edhe një dëshmitar i gjithë rrugëtimit të këtij institucioni dhe rrënimit të këtij institucioni”, tha Rama duke iu kërkuar më pas sugjerime profesorëve të nderuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat