Iu gjetën 300 mln lekë në banesë, gjyqtari kërkon zbutjen e masës së sigurisë

Shqipëria

Iu gjetën 300 mln lekë në banesë, gjyqtari kërkon zbutjen e masës së sigurisë

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 13:44
Shkëlqim Miri

Gjyqtari Shkëlqim Miri ka apelur masën e sigurisë së dhënë nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda, që e la atë në arrest me burg.

I akuzuar për korrupsion dhe i pezulluar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shkëlim Miri i është drejtuar Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për zbutjen e masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpiak.

Më 12 nëntor, Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi të ligjshëm ndalimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, e vendosi ndaj tij masën “arrest me burg” me dyshimet se ai ka kryer korrupsion për të lehtësuar pozitën para drejtësisë të Gentian Dodës, i dorëzuar prej amerikanëve si një i shumëkërkuar.

Në atë seancë iu tregua gjykatës mbi përgjimet e kryera ndaj kushëririt të gjyqtarit, Kujtim Mirit, që shfaqet në kamera duke marrë një valixhe me lekë, të dorëzuara nga ndërmjetësi tjetër Alban Buçi, aktualisht i shpallur në kërkim.

Prokuroria thotë se, pas këtij momenti, Alban Buçi njofton në “ëhatsapp” Gentian Dodën, që priste vendimin në burg.

“Rri pa merak, i dorëzuam dokumentet. I thamë s’kemi gjë tjetër, vetëm shpirtin. Do të dalësh nga mesi i muajit tjetër”, thotë ndërmjetësi.

Avokati i Shkëlqim Mirit, Ardian Visha këmbëngul se kjo shumë do të shpenzohej për kurimin e klientit të tij, që sipas tij vuan nga një tumor.

Shkëlqim Miri, gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë u ndalua me urdhër të Prokurorisë për dyshimet e korrupsionit, ndërsa në banesën e tij iu sekuestruan gjatë kontrollit me vendim gjykate 174 mije euro, mbi 10 milionë lekë dhe 1 mijë dollarë.

Shkëlqim Miri ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje për Gentian Dodën i ekstraduar kohë më parë nga Shtetet e Bashkuara.

Gjykata e Apelit do të shqyrtojë më datë 27 nëntor kërkesën e gjyqtarit për t’i zbutur masën e sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat