Visho Ajazi ambasador në Nato? Emri nuk u konsultua me Metën

Shqipëria

Visho Ajazi ambasador në Nato? Emri nuk u konsultua me Metën

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 22:30
Visho Ajazi

Kryeministri Rama ka propozuar Visho Ajazi Likën ambasador të Shqipërisë në selinë e NATO-s në Bruksel. Propozimin, Kryeministri Rama ia ka dërguar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, nga i cili pritet dekretimi. Dy javë pas dorëheqjes nga kreu i SHISH, zbardhet pakti i Kryeministrit Rama me Visho Ajazin për t’u larguar nga drejtimi i shërbimit inteligjent shqiptar. Burime nga Presidenca thanë se propozimi i Ajazit për ambasador ka ardhur në mënyrë të papritur dhe pa asnjë konsultim nga ana e Kryeministrit.

Të njëjtat burime thanë për “Panoramën” se dekretimi i Ajazit ambasador do të jetë një proces dhe se mbetet i pasigurt. Pak ditë më parë, kreu i shtetit dekretoi lirimin nga detyra të Visho Ajazit nga drejtimi i Shërbimit Informativ Shtetëror. Ajazi i depozitoi dorëheqjen e tij Kryeministrit Rama, pa asnjë motivacion. Edhe kësaj radhe, Presidenti mbeti i pakonsultuar, siç ishte edhe rasti i dorëheqjes së Ajazit, për të cilën Meta është shprehur vetë se nuk kishte pasur asnjë njoftim nga kreu i SHISHit. “Dorëheqja e tij ka qenë e papritur për shkak të bisedës së zhvilluar një javë më parë. Nuk ka rëndësi, por nuk më çudit shumë. Janë gjëra që ndodhin. Unë e respektoj vullnetin e cilitdo”, është shprehur Meta pas dorëheqjes së Ajazit në një intervistë. Në zyrën e Presidentit është edhe propozimi i Kryeministrit Rama për kreun e ri të SHISH-it. Bashkë me propozimin e lirimit të Ajazit nga detyra, Rama i çoi kreut të shtetit edhe emrin e ri që do ta zëvendësojë atë. Ai është zv.drejtori aktual i Shërbimit Informativ, Helidon Bendo. Por kreu i shtetit ende nuk e ka hedhur firmën e tij në dekret për Bendon, edhe pse ai është pjesë e SHISH-it që prej 21 vjetësh. “Nuk ka asnjë emergjencë për arsye të faktit që zv.drejtori i SHISHit vazhdon detyrën”, është shprehur Presidenti Meta pak ditë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat