Opozita kërkesë Metës për Këshillin e Sigurisë, por si bëhet deklasifikimi i dokumenteve

Shqipëria

Opozita kërkesë Metës për Këshillin e Sigurisë, por si bëhet deklasifikimi i dokumenteve

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 18:45
Komisioni për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin (KDZH)

Disa deputetë të Partisë Demokratike i kërkuan sot Presidentit të Republikës ndërmarrjen e veprimeve për deklasifikimin e dokumenteve të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare zhvilluar para një viti në lidhje me çështjet e kultivimin e lëndëve narkotike.

Deklasifikimi është ndryshimi i autorizuar i statusit të informacionit nga i klasifikuar në të zakonshëm. Zhvlerësimi është zbritja një shkallë e nivelit të klasifikimit (p.sh. nga tepër sekret në sekret). Një dokument cilësohet i klasifikuar kur përmban nivelet e klasifikimit që janë: tepër sekret, sekret, konfidencial, i kufizuar; si dhe afatin përkatës, shkruan Kastriot Dervishi.

Deklasifikimi si akt administrativ kolegjial bëhet me vendim të Komisionit për Deklasifikimin dhe Zhvlerësimin (KDZH), i cili formohet sipas VKM-së nr.124, datë 15.3.2001 “Për deklasifikimin e zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror, që ndodhen në rrjetin kombëtar të arkivave” dhe përbëhet nga së paku 5 veta.

Kanë komisione deklasifikimi të gjitha institucionet që janë autoritete klasifikimi si dhe kanë arkiv, përkatësisht: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, SHISH, Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë. Deklasifikimi nuk mund të ndodhë vetiu, d.m.th. me plotësim afatesh kohore, por vetëm me vendim të KDZH-së.

Si rregull, pritet që të mbarojë afati i klasifikimit e pastaj shqyrtohet në mund të kryhet apo jo deklasifikimi. Por neni 13 i ligjit nr.8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i jep të drejtë autoritetit deklasifikues që të marrë vendim edhe para afatit. Neni formulohet kështu: “Në raste të veçanta, informacioni i klasifikuar, mund të deklasifikohet kur publikimi i tij diktohet nga interesa shtetërorë më të rëndësishme se nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar”.

Konkretisht Presidenti i Republikës, pas kërkesës së deputetëve të PD-së, nëse e sheh të arsyeshme, mbledh KDZH-në, e cila merr shqyrton materialin dhe del me një vendim. Në rast se në dokumentet që kërkohet të deklasifikohen janë dorëzuar raporte me shkrim nga institucione të tjera (si p.sh. SHISH), duhet patjetër që në KDZH të bëjnë pjesë si anëtarë të jashtëm edhe përfaqësues të këtyre institucioneve. Në rast se jo, KDZH-ja e Presidentit është vendos për deklasifikimin, duke njoftuar DSIK-në pas vendimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat