Fondet e SHISH-it, PD kundër qeverisë: Nuk i intereson që të funksionojë

Shqipëria

Fondet e SHISH-it, PD kundër qeverisë: Nuk i intereson që të funksionojë

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 09:28
Mbledhja e Komisionit te Sigurise

Detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura në komisionin e sigurisë. Deputetët e opozitës kundërshtojnë buxhetin e përgjysmuar për SHISH

Demokratët pretendojnë se qeveria është e interesuar që SHISH të mos funksionojë sepse ky institucion zbulon lidhjen e Ramës dhe Tahirit me bandat

Demokratët nuk kanë ndërmend të lënë pas dore çështjen “Tahiri”. Deputetët e PD-së morën pjesë dje në të gjitha komisionet parlamentare vetëm për të denoncuar skandalet e qeverisë dhe më pas janë larguar duke bojkotuar pjesën ku flitej për buxhetin e ri. Si në komisionin e ligjeve dhe atë sigurisë, demokratët e përdorën praninë e tyre për të dhënë informacion shtesë në lidhje me arrestimi e Orest Sotës në Elbasan, që është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgjeve, por që policia s’e ka bërë publike dhe kërcënuan qeverinë me revoltë popullore. Deputeti demokrat Eduard Halimi në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve deklaroi se “edhe policia edhe qeveria po ashtu e kanë fshehur që ka qenë furgoni i policisë së burgut që ka ndërhyrë për arrestimin e biznesmenit”.

Dhe te komisioni i sigurisë, ku u diskutua me dyer të mbyllura buxheti i Shërbimit Informativ Shtetëror, deputetët Flamur Noka dhe Ervin Salianji kundërshtuan fondin që qeveria ka caktuar për SHISH. Pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës, ku lëshuan akuza ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe shefit të qeverisë Edi Rama, demokratët lanë mbledhjen e komisionit. Vijimi i mbledhjes ka dalë me një konkluzion, propozimin e rritjes së buxhetit të SHISH me 5.2 për qind që edhe pse nuk është sasia e kërkuar, është diçka më shumë nga ajo që ishte parashikuar.

Debati

Ylvi Aga: Mund të dalin edhe informacione, të cilat janë të klasifikuara dhe i gjithë informacioni që është përcjellur, normalisht është i klasifikuar.

Ermonela Felaj: Kërkojmë që edhe opozita ta mirëkuptojë kërkesën.

Flamur Noka: Nuk kemi asgjë kundra, por doja të dija nëse të gjitha informacionet janë të klasifikuara, pasi ne mund të lejojmë mediat për pjesën që nuk përbëjnë sekret.

Ylvi Aga: Nuk më takon mua ta vendosë, por informacioni është i klasifikuar.

Ermonela Felaj: Dakord. Edhe opozita besoj se nuk është kundër.

Debati me dyer të mbyllura

Ylvi Aga: Më duhet ta them se qeveria ka parashikuar për këtë vit të jap më pak fonde për SHISH. Për këtë ne i kemi dërguar një kërkesë qeverisë që ta rishikojë sa jemi ende në kohë.

Ervin Salianji: Drejtor kam një pyetje për ju. A mund ta realizoni punën tuaj në kushte kur jua përgjysmojnë fondet? Në kushtet ku jemi, mendoj se institucioni i SHISH, duhet të marrë jo vetëm fondet e kërkuara por edhe shtesë në gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Ylvi Aga: Fondet janë përgjysmuar dhe prandaj ne po kërkojmë që buxheti për SHISH të rishihet. Nuk mjafton buxheti që është caktuar, prandaj ne kërkojmë që bëhet çfarë është e mundur për të çuar të paktën aty ku ka qenë, në mos dhe më lartë.

Flamur Noka: Si është e mundur që t’i ulet buxheti një prej institucioneve më të rëndësishme. Nuk mund të shkurtohen fondet për institucionin që lidhet me Sigurinë Kombëtare. Juve në fakt nuk ju intereson që SHISH të funksionojë siç duket sepse nuk doni që të zbulohen lidhjen e Ramës dhe Tahirit me drogën. Kjo që qeveria kërkon të bëjë me buxhetin e SHISH është e rëndë. Tashmë të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se Tahirit, Ramës dhe Xhafës nuk u intereson SHISH të funksionojë.

Ermonela Felaj: Jemi mbledhur për të diskutuar për fondin që do i caktohet SHISH për më tepër që kemi prezent dhe drejtorin ekonomik dhe nuk kemi pse të përfshihemi në tema që nuk kanë lidhje me këtë komision.

Flamur Noka: Ju thoni që nuk ka lidhje, por sigurisht që ka shumë lidhje. Në vend se të mbështetet SHISH në këto momente alarmante për sigurinë kombëtare, Rama shkurton fondit. Nuk kemi si të mbështesim këtë. Do të ketë revoltë gjithë popullore ndaj arrogancës së kryeministrit.

Paulin Sterkaj: Edhe unë mendoj që për të ardhmen e fëmijëve tanë duhet të shtojmë fondin. Nëse është e nevojshme t’i hiqet fondet ndonjë institucioni tjetër, sepse kjo lidhet me sigurinë dhe të ardhme e fëmijëve tanë. Mos të harrojmë se SHISH është një institucion shumë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.

Ermonela Felaj: Z.Sterkaj bëj pyetje jo diskutim.

Paulin Sterkaj: Mos na u sill si mësuese në komision. Na je bërë si baba Taku.

Deklarata, Noka: Qeveria do rrëzohet me protesta.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, ku u diskutua buxheti i SHISH, tha se qeveria e Ramës nuk përfaqëson qytetarët, por krimin. Sipas tij, kjo qeveri i ka ditët e numëruar pasi do të rrezohet me protesta popullore dhe demokratike. “Kjo qeveri ka rënë moralisht, ajo mund të rrijë në këmbë pak ditë aritmetikisht. Por qytetarët që e votuan, e votuan dhe besuan pasi i kërkoi timonin, timonieri për të drejtuar vendin. E vërteta doli në pah se nuk kishin patentën për të drejtuar vendin, por kjo qeveri dhe timonieri kishin patentë për të drejtuar skafet, trafikun dhe krimin e organizuar.

Është koha ta rrëzojmë dhe kjo qeveri i ka ditët e numëruar. Gjushi është një ushtar i vogël i kësaj perandorie me lidhje të mëdha në krim. Perandoria do të rrëzohet në mënyrën më demokratike të mundshme, me protesta popullore. Kjo qeveri bleu vota por edhe ato pak vota që mori për të qeverisur, nuk qeveris por drejton krimin. PD ka institucionet që do vendosë afatet, datat dhe strategjinë. Por një gjë ju them me siguri kjo qeveri i ka ditët e numëruara, është qeveri e krimit dhe e bandave. Në këtë aksion kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe kjo është e rëndësishme”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat