Analiza e humbjes/ Deputetët e PD kundër të deleguarve të Bashës

Shqipëria

Analiza e humbjes/ Deputetët e PD kundër të deleguarve të Bashës

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 16:31
Mbledhja e PD-së

Dorëheqja e Visho Ajazit nga drejtimi i SHISH nuk ka qënë objekt bisede mes anëtarëve të grupit parlamentar demokrat edhe pse mbledhja mes tyre vijonte kur lajmi për largimin e tij ishte ngjarja e ditës.

Edhe vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, kur u pyet nga gazetarët pas mbledhjes, tha se nuk kishte informacione konkrete për këtë largim, por theksoi se Rama ka dy vjet që bën presion politik ndaj SHISH-it.

Duket se deputetët demokratë kanë patur çështjet e brendshme si prioritare në mbledhjen e kësaj të hënë.

Burime për Mapo tregojnë se ka patur ankesa për të deleguarit në bazë, të cilët do të merren me analizën e zgjedhjeve të 25 qershorit. Që prej çështjes “Tahiri” e deri sot kur u dorëhoq kreu i SHISH, problemet e brendshme të PD-së ishin sfumuar dhe në mënyrë të veçantë aksioni i grupit anti-Basha ka mbetur në heshtje. Por kjo e hënë rikthen debatin. Disa deputetë janë ankuar për një pjesë të deleguarve, që sipas tyre “nuk kanë punuar një ditë në PD”. Kjo ka qënë edhe arsyeja që ata janë kundërshtuar për të qënë të deleguar në bazë.

Përballë kësaj situate, kryetari i PD-së, Basha mësohet të këtë thënë se ata nuk janë të deleguar. Sipas kryedemokratit, ata janë pjesë e PD-së pasi janë anëtarë të këshillit kombëtar dhe se analizën e bëjnë strukturat dhe jo individët.

Prej disa ditësh Basha ka shpërndarë një urdhër për analizën e zgjedhjeve të 25 qershorit. Ai është shprehur se zgjedhjet u vodhën, por nuk ka përjashtuar as përgjegjësitë personale, dhe aq më pak ato të strukturave që ndikuan në rezultatin me kritik që PD ka marrë në një palë zgjedhje në këto 27 vjet.

Për këtë arsye Basha zgjodhi një taktikë jo të panjohur, e aplikuar gjërësisht nga paraardhesi i tij Sali Berisha, për të dërguar në bazë, njerëz që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Qarkun ku janë caktuar për të bërë analizën. Shmangia e konfliktit të interesit në këndvështrimin e kreut të PD, është zgjidhja më e mirë për një analizë të drejtë, ndërsa nuk e shohin në këtë mënyrë një pjesë e deputetëve të cilët sot edhe pse nuk kanë folur me emra konkrete, mesazhi për Bashën ka qënë i qartë.

Po kush janë të deleguarit e 12 qarqeve për analizën në PD?

Vlorë                          Fatbardh  Kadilli

Shkodër                      Kreshnik Çollaku

Lezhë                         Alfred Spahiu

Fier                            Gazmend Bardhi – Ervin Minarolli

Durrës                        Ferdinand Xhaferri

Elbasan                      Eris Hoxha – Kastriot Sulka

Gjirokastër                 Florian Xhuti

Kukës                         Arben Ibro

Dibër                         Jemin Gjana

Berat                         Enno Bozdo

Korçë                         Arben Ristani

Ndërkohë në Tiranë, edhe për shkak të shtrirjes së Qarkut janë disa të deleguar, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat