Dyfishohen fondet e rrugëve dhe investimet në infrastrukturën shqiptare

Shqipëria

Dyfishohen fondet e rrugëve dhe investimet në infrastrukturën shqiptare

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 07:11
ilustrim

Në Tiranë, qeveria ka vendosur të financojë ndërtimin e 6 rrugëve të reja, duke dyfishuar fondin e infrastrukturës, si dhe mbarimin e disa të vjetrave.

Ekspertët kanë vlerësuar rikthimin e vëmendjes tek ndërtimi i rrugëve të reja dhe përfundimi i atyre, që janë zvarritur në vite.

Qeveria Rama ka dyfishuar fondin për ndërtim rrugësh vitin e ardhshëm në projekt-buxhetin e ri.

Për rrugët janë ndarë 280 milionë euro vitin tjetër kundrejt 130 milionë euro që ishin sivjet.

Po ashtu pritet të jepen me koncension ndërtimi i 6 rrugëve me afro 1.4 miliardë dollarë, mes të cilave është renditur edhe rruga Tiranë-Dibër, e mbiquajtura Rruga e Arbërit.

Në listë janë edhe ndërtimi i rrugëve Milot - Balldren, Orikum - Himarë, Delvinë - Kardhiq, Rrogozhinë - Kashar dhe Tiranë - Thumanë - Vorë.

Autoritetet kanë në plan që me fondet e dyfishuara të ndërtojnë rrugë të reja si bypass-i i Vlorës dhe unaza e madhe e Tiranës, të përfundojnë ato që janë zvarritur prej disa vjetësh si bypass-i i Fierit, rruga e Lumit të Vlorës dhe aksi Qukës - Qafë Plloçë.

“Financimi nuk do të mungojë. Strategjia e qeverisë është të mos hapë më rrugë, të cilat janë të pafinancueshme, por të përfundojmë të gjitha këto vepra të nisura prej vitesh. Do të përfundojmë rrugët e nisura, do të hapim ato rrugë që janë të financueshme dhe çdo projekt që do të hapet do të jetë i financueshëm. Nuk do të ketë më projekt, që do të mbetet zvarrë”, - tha ministri i infrastrukturës dhe energjisë, Damian Gjiknuri.

Dyfishimi i fondeve për ndërtim rrugësh kombëtare ka ardhur menjëherë me përgjysmimin deri në 50 milionë euro të financimeve buxhetore për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, i fokusuar te zonat rurale.

Megjithatë ekspertët vlerësojnë kthimin pas disa vjetësh të vëmendjes së qeverisë tek projektet e rrugëve, sidomos për akse rrugore të nisura vite më parë dhe që janë zvarritur në kohë, për të ndikuar më shumë në ekonominë e rajoneve me afrimin e tregjeve.

Ndërtimi i këtyre rrugëve përmirëson infrastrukturën e krahinës së Myzeqesë, një prej zonave të rëndësishme bujqësore, krahas asaj të Korçës, ku bujqësia është e rëndësishme dhe konkurrues.

Mungesa e rrugëve konsiderohet një ndër problemet kryesore që hasin sot fermerët, dhe ndërtimi i rrugëve bëjnë lidhjen e tyre me tregjet dhe rrjedhimisht garantojnë shitjen e produkteve bujqësore.

Projektet e rrugëve pritet të ndikojnë jo vetëm bujqësinë po edhe turizmin në veri e në jug të vendit, nga Vlora në Dibër. Zhvillimi i turizmit është një nga ambicjet e qeverisë në mandatin e dytë, që nisi me uljen e tvsh-së në 6%.

Ndikimin më të madh në këtë fushë pritet ta kenë bypasset e Fierit dhe Vlorës, ku edhe problemet e infrastrukturës janë më të rëndat.

Për projekt-buxhetin 2018 nis një diskutim i hollësishëm në komisionet parlamentare, ku priten edhe kërkesat e deputetëve për financime rrugësh edhe në zonat e tyre zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat