Pak para vrasjes, debati në parlament: Kur Azem Hajdari replikonte me Pandi Majkon për ‘97-ën

Shqipëria

Pak para vrasjes, debati në parlament: Kur Azem Hajdari replikonte me Pandi Majkon për ‘97-ën

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 22:46
Azem Hajdari

Një shtatore e Azem Hajdarit në Bajram Curr, aty ku lindi e prej nga ishte, Tropojë, ka rikthyer dhe kujtesën për të si figurë, si një ndër emrat me të cilën lidhet pasgjidhshmërisht dhjetori historik i ‘90-ës, e vet demokracia shqiptare.

Por cili ka qenë diskutimi i fundit në parlament i tij, pak muaj para se të vritej në një atentat pranë selisë së PD-së?

Bëhet  fjalë për një debat mbi hetimin ngjarjeve të vitit 1997, e për gjetjen e fajtorëve të ngritjes së firmave piramidale. Debati i përket  korrikut të vitit 1998 – ishte koha kur zhvillohej dhe Botërori i Francës – dhe Azem Hajdari pati një replikë me kreun e grupit parlamentar socialist të asaj kohe, Pandeli Majko.

Në qëndrimet e tyre flitet për frikën që kishte pprokuroria për hetimin ngjarjeve të kobshme të një viti më parë. Ata ishin dy dhjetoristë por të pozicionuar në kahje të kundërta politike.

Mes tyre ka akuza e kundërakuza,  vlerësime pozitive e negative për shoqi-shoqin, ku nuk mungon t’u futet në mes dhe ish-ministri i tyre në kohën studentore, Skënder Gjinushi.

Replikat

Pandeli Majko – …Unë jam shumë dakord me ju zonja Topalli dhe me Azemin që thoni: Keni një vit në pushtet, pse nuk nxirrni emra? Jam shumë dakord me ju. Dhe bravo të qoftë, Azem, të njoh shumë mirë dhe e luan shumë bukur lojën. Hajde ti e thuaj se kush janë socialistët e implikuar dhe ne do të themi se kush janë demokratët e implikuar, meqenëse prokuroria i ka mbyllur sytë, sepse prokuroria, zonjë, ka frikë. Ka frikë, sepse pjesa e klasës politike që është e implikuar, është ende e fuqishme në politikë, si në opozitë, por ka dhe palaço brenda radhëve të pozitës. Po mos kujtoni se nuk do të vijë një ditë që këta emra do të dalin. Kjo është garancia jonë.

Megjithatë, zonjë, para se të akuzoni, duhet të shikoni, siç thashë, nga radhët tuaja. Protagonistët nuk i keni në sallë. Ju flisni në emër të të tjerëve, që janë larguar sot nga politika, flisni në emër të Zhulalit, flisni në emër të njerëzve që nuk janë në Shqipëri. Ju respektoj, prandaj jua them me gjithë zemër këto fjalë.

Azem Hajdari – Kjo nuk është lojë zoti Majko, por është burrni. Nëse prokuroria ka frikë, zoti Gjinushi, duhet të ndërhyni urgjentisht që të ndërrohen prokurorët. Kjo e para.

E dyta, ajo që ndodhi në Vlorë, nuk ndodhi sepse u çuan tanket atje, por ju e bëtë atë në Vlorë, sepse donit që të bëheshin vrasje në Drenicë e në Deçan, nuk kishte rrugë tjetër. (Reagim në sallë)

E treta dhe e fundit, ju nuk keni absolutisht argumente që të mbroni rebelimin, ju jeni të frikësuar dhe Kryeministri po ju arratiset. Emrat e PD-së nxirrini ju, se ju i keni mbajtur të gjitha mbeturinat e PD-së, që Berisha i hoqi dhe i mbani ju. Rulët me shokë ju i mbani. Pashkot me shokë ju i mbani. Cekat ju i mbani. Këtu ka shumë njerëz të tjerë dhe s’ka nevojë për ata, por juve nuk ju pëlqejnë njerëzit që ju drejtuan dhe keni marrë mbeturinat tona, i vutë në krye dhe mendoni që po përmalloni popullin me këtë punë.

Skënder Gjinushi – Zoti Hajdari, meqenëse ju bëtë një replikë më të gjerë sesa personale, unë do të sqaroja se keni shumë të drejtë kur thoni që tanket drejt Vlorës kanë lidhje me Drenicën dhe me Deçanin. Ata që i kanë çuar, i çuan që të shpërbëhet ushtria dhe Shqipëria të gjendet pa ushtri.

Për sa i takon rebelimit, jam i detyruar përsëri të replikoj me ty, sepse akuzon të gjithë Parlamentin. Ju që akuzoni ish-opozitën se gjoja nxiti rebelimin, sot në çdo shesh vazhdoni të luani me “Vefën” dhe me pakënaqësinë e këtij populli. Pra, vetes i jepni të drejtën të nxisni, të kërkoni paratë dhe vetëm për një premtim doni të krijoni një rebelim të ri. Atëherë populli doli vetë në shesh. Madje dhe vetë e thatë që dolën për paratë dhe s’i nxori opozita. Kështu që ju njëherë thoni ndryshe, njëherë tjetër thoni ndryshe.

Kaq kisha për të sqaruar.

Azem Hajdari – Zoti Gjinushi, unë, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, ju them që, nëse popullit i ktheni paratë dhe i vendosni rendin, ai këtë pret nga ne. Ne kemi për detyrë, dhe të mos ju vijë keq, nuk është premtim ndoshta yti personal, se s’ta kam dëgjuar ty, ti je pjesë e koalicionit dhe unë të akuzoj për gjëra që i ke, jo për gjëra që s’i ke, të kërkojmë nga ju kthimin e parave, sepse ne jemi opozitë dhe askujt s’duhet t’i vijë keq.

E dyta, për çfarëdo asetesh, nëse i shisni, duhet të deklarohen burimet e atyre që i blejnë.

E treta, 181 emra të zyrtarëve të pushtetit i keni në prokurori, që janë denoncuar për përfshirjen në firmat piramidale.

E katërta, deklaroj me përgjegjësi se asnjë kryetar seksioni i Partisë Demokratike, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike në rreth, kryetar i Partisë Demokratike në rreth, kryetar bashkie nuk ka ndërtuar asnjë sportel të firmave piramidale në tërë Shqipërinë.

Partia Demokratike kërkon që çdo pushtetar i saj që është përfshirë në firmat piramidale të denoncohet publikisht me emër. Ju nuk keni arsye të implikoni një parti prej njëqind mijë anëtarësh me një person. Edhe ne nuk kemi arsye të implikojmë tërë partinë tuaj për problemin e firmave piramidale. Emrat janë kryesisht tuajt. Ju duhet t’u hiqni atyre teserën e partisë, t’i shkarkoni nga detyra, pasi tjetri është shef zbulimi, dhe t’i ktheni paratë popullit. Nëse ju nuk i ktheni paratë popullit, Partia Demokratike i bën thirrje popullit të dalë në sheshe e të kërkojë paratë. Jo rebelim, ne rebelim të armatosur nuk bëjmë kurrën e kurrës, ne i besojmë votës dhe vetëm votës. Ata që bënë rebelimin ta dinë shumë mirë se situata po dekanton dhe janë shquar në popull si njerëz kriminelë, si njerëz antikombëtarë. E bëtë Vlorën që të vritej populli atje dhe më vonë të vriteshin në Drenicë, të vriteshin në Deçan. E keni lënë vendin pa mbrojtje, nuk njihni Republikën e Kosovës, e shpallni pushtetin e Kosovës paralel…

Seancë parlamentare Korrik 1998 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat