Opozita: Të largohet Rama. Prokuroria të hetojë Tahirin

Shqipëria

Opozita: Të largohet Rama. Prokuroria të hetojë Tahirin

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 12:01
Mblidhet tryeza opozitare

(E plotësuar) - Opozita shpalli sot krijimin e Frontit të Bashkuar Opozitar kundër krimit dhe kërkesat i kanë të qarta: largimin e kryeministrit Edi Rama, si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me Qeverinë, krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të çojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin.

Ky front opozitar shpreh gjithashtu mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi, për të siguruar dekriminalizimin e politikes dhe ndëshkimin e drejtuesve të lartë të shtetit të implikuar në afera korruptive, pasuruar në mënyrë të paligjshme, të lidhur me krimin e narkotrafiqet.

Opozita e bashkuar i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore, hetimin për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane dhe të tjerë, të kryejë të gjithë veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë të gjithë individët e implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve. Gjithashtu, të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kësaj Qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës më 25 qershor.

Qëndrimin e përbashkët Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e mbajtën edhe përpara mediave, pas takimit me partitë opozitare parlamentare dhe jo parlamentare, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. 

“Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon largimin e Kryeministrit Rama, përfitues i drejtpërdrejt nga krimi dhe ministrat e tij të lidhur me krimin. Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon krijimin e një qeveria antimafia. Çfarë do të bëjmë më tej? A mund t vazhdohet më kështu? A mund t’i besohet kësaj kupole në pushtet? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një mazhorancë të kapur nga krimi? Përgjigja për çdo shqiptar është, jo”, tha Basha.

“Ky front do nisë angazhimin e tij kundër narko-shtetit që përfaqësohet dhe drejtohet nga Edi Rama. E rëndësishme është që të gjitha partitë që morën pjesë ishin të shqetësuara nga situata në Shqipëri, për inkriminimin e shtetit dhe institucioneve. Kjo është fatkeqësia e një vendi, shteti dhe një kombi. Tryeza ishte një sinjal për opinionin publik, mediat dhe ata që bojkotuan zgjedhjet”, u shpreh Kryemadhi.

Basha dhe Kryemadhi nuk folën për protestat si një opsion i këtij fronti opozitar por kjo nuk do të jetë tryeza e vetme që do të bëjë bashkë opozitën në javët që vijnë..

Image

Takimi me partitë opozitare, Basha: Habilajt dhe Tahiri janë maja e ajsbergut të një qeverie të korruptuar

Ka nisur  pak më parë  takimi i partive të fronit opozitar mes Partisë Demokratike, ZGJIDHJA dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Fjalën e ka mbajtur i pari kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili shtroi pyetjen se përse nuk arrestohet Saimir Tahiri.

Basha kërkoi nga Prokuroria që të nisë hetimin dhe të sekuestrojë pasuritë e Habilajve dhe Tahirit, duke shtuar ndër të tjera se Habilaj dhe Tahiri janë maja e ajsbergut të një qeverie të korruptuar .

“Pse nuk arrestohet Tahiri, pse nuk sekuestrohen pasuritë? Prokuroria të sekuestroje pasuritë e Habilajve dhe të ngrejë akuza ndaj tyre. Habilajt dhe Tahiri janë maja e ajsbergut të një qeverie të korruptuar”, tha kryedemokrati Basha.

Mblidhet tryeza opozitare

Paraditen e së mërkurës u mblodh tryeza opozitare e paralajmëruar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë më parë, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me dosjen “Habilaj”.

Në takimin mes Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit janë të pranishëm edhe Oerd Bylykbashi, Genc Strazimiri, Edmond Haxhinasto dhe Petrit Vasili, si dhe kryetarët e partive të vogla opozitare parlamentare dhe joparlamentare.

Monika Kryemadhi dhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ishin mbrëmjen e së martës në selinë e Partisë Demokratike për një takim me Lulzim Bashën dhe Edmond Spahon.

Mësohet se takimi ka zgjatur rreth 40 minuta.

Dita e mërkurë ka nisur intensive për partitë politike pas publikimit një ditë më parë të dosjes së prokurorisë italiane për bandën e Moisi Habilaj, çështje që implikon dhe ish-Ministrin Tahiri që përmendej nga Habilaj në disa raste gjatë bisedave të tij.

Taulant Balla ka mbledhur grupin parlamentar të PS tek Kryesia e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat