Basha: Në Fier u fsheh pengmarrja e sponsorit të PS. Reagon policia

Shqipëria

Basha: Në Fier u fsheh pengmarrja e sponsorit të PS. Reagon policia

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 12:28
Pamje nga aksioni

Policia e Fierit e ka konsideruar të pavërtetë akuzën e kreut të PD-së, Lulzim Basha për fshehje të informacionit.

Një ditë më parë, Basha referuar një denoncimi të marrë shkruante në fb se dy javë më parë është marrë peng një person dhe kjo nuk është pasqyruar në komunikatën e policisë së Fierit sepse pengmarrësi është sponsor i PS-së.

Por policia e Fierit pretendon të kundërtën, duke thënë se ngjarja është pasqyruar dhe se ka nisur puna për identifikimin e personave që kanë mbajtur peng dhe rrahur shtetasin me iniciale F.L.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier

Në lidhje me statusin e publikuar nga Kryetari i Partisë Demokratike në rrjetin social facebook ku akuzohet Policia e Fierit për fshehjen e një ngjarje, informojmë se ngjarja në fjalë nuk është fshehur, por sipas procedurës standarde të punës është publikuar dhe mund të gjendet lehtësisht si çdo njoftim tjetër në faqen zyrtare online të Policisë së Shtetit.

Konkretisht ngjarja e pasqyruar në web “Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë” parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se në datë 02.10.2017, në lagjen “1 Maj” Fier është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë”.

Policia e Shtetit është e vendosur të kryejë detyrën me përgjegjësi e seriozitet dhe të ndëshkojë çdo paligjshmëri e këdo që shkel ligjin. E për këtë arsye, Policia e Shtetit fton çdo qytetar dhe parti politike të kërkojë informacion duke u garantuar përgjigje në kohë, për të shmangur pasaktësitë në mos abuzimet me faktet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat