Kreu i PD-së Lulzim Basha, pas mbledhjes së grupit parlamentar, ka folur për vendimet që janë marrë dhe çfarë do të ndodhë ditën e enjte në Parlament.
Basha, duke folur për seancën e shkuar të Kuvendit, ku ai u përjashtua nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruci, u shpreh në një prononcim për mediat, do të intensifikojnë aktivitetin parlamentar, duke paralajmëruar rikthimin e praktikës së seancës së pyetjeve në Kuvend.
“Në vijim të ngjarjes së shëmtuar të javës së kaluar dhe të dy javëve të kaluara ku Edi Rama përmes Gramoz Ruçit u mundua të dhunojë rregulloren për ti mbyllur gojën opozitës. Kjo nuk ka për tu pranuar kurrë dhe nuk do të ndodhë, e kundërta do të ndodhë. Në do të intensifikojmë aktivitetin tonë parlamentar, duke rikthyer një praktikë konform rregullores që është praktika e seancës së pyetjeve për të vendosur Edi Ramën dhe Ministrat e tij para përgjegjësisë. Diçka prej të cilës po mundohet të largohet çdo ditë, duke dalë një ditë si baçevan, një ditë si kopshtar.
Paska hapur dhe Pallatin Mbretëror. Këtej rrit taksat, këtej më shumë bar për qytetarët. Sigurisht që nuk është as baçevar dhe as kopshtar, është përgjegjësi për një Shqipëri të fundosur nga krimi, të vetmin vend që nuk i hapen negociatat, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi ecin përpara me negociatat dhe në këto kushte ta harrojë se me opozitën dhe PD do të ketë diçka tjetër përveç përballjes totale. Ai e ka zgjedhur kompromosin, kompromisin e ka me krimin e organizuar, e ka me Sejdinët jo vetëm në Elbasan por anembanë Shqipërisë me Sejdinët e krimit dhe në këtë rreshtim është e qartë se Edi Rama ka vënë PS dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin, ne jemi në funksion të aleancës së vlerave me qytetarët dhe kjo do të shpaloset në çdo aspekt të përballjes parlamentare.”, -tha Basha.