Takimi Meta– Basha, shtrëngim miqësor duarsh dhe buzëqeshje

Shqipëria

Takimi Meta– Basha, shtrëngim miqësor duarsh dhe buzëqeshje

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 06:17
Meta– Basha

Gjatë fushatës elektorale, të dy i kishin shpallur luftë njeri-tjetrit, duke adresuar secili ndaj kundërshtarit politik të asaj kohe akuza të ashpra.

Por, tashmë duket se situata ka ndryshuar ndjeshëm.

Me kalimin e Metës në krye të Presidencës dhe me Bashën aleat në opozitë me ish LSI-në e kreut të Shtetit, tensionet janë ulur.

Në fakt, takimi mes tyre në aktivitetin e mbrëmjes organizuar nga Ambasada Gjermane për përkujtimin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, të jep përshtypjen sikur mes dy figurave të rëndësishme të politikës nuk ka pasur asnjëherë të tilla.

Një shtrëngim duarsh që u duk tejet miqësor, buzëqeshje vesh më vesh nga të dy dhe batuta të shkëmbyera u vunë re si rrallë herë, gjatë takimin të sotëm Basha – Meta.

Image

Fjala e Metës në Festën e 3 Tetorit, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë

Presidenti Ilir Meta mbajti edhe një fjalim në këtë aktivitet:

“E nderuara Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Schütz,

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit dhe deputetë,

Të nderuar përfaqësues të qeverisë dhe të gjithë institucioneve,

Shkëlqesi Ambasadorë

Zonja dhe Zotërinj!

3 Tetori, Dita e Bashkimit Gjerman është një ditë frymëzimi i pashtershëm. 3 tetori i vitit 1990 ishte dita e një mundësie të re jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Evropën për të jetuar në paqe dhe demokraci, në një projekt që transformoi historinë politike, ekonomike dhe sociale të të gjithë kontinentit.

Ndaj Festa juaj Kombëtare, në mënyrë unike, nuk është vetëm e juaja.

Dita e Bashkimit Gjerman është festë e të gjithë Evropës, dhe veçanërisht e atyre evropianëve që jetuan nën hijen dhe peshën e rëndë të Perdes së Hekurt.

Ne ndajmë të njëjtin emocion dhe krenari me ju për çeljen e një epoke të re, pasi jetuam historinë, që siç do të thoshte Willy Brandti: ‘Berlini jetoi që ta shihte murin të shembej’.

Muri që u shemb në Berlin ribashkoi jo vetëm Gjermaninë, por njëkohësisht edhe nxiti ëndrrat e të gjithë kontinentit për të jetuar në paqe, liri dhe demokraci.

Për ne shqiptarët, Dita e Bashkimit Gjerman është pikënisja e projektit më frymëzues, që do të bëhej një ortek i pandalshëm kuraje, optimizmi dhe shprese i bashkimit tonë me Evropën.

Gjermania qe ndër të parat vende ku qytetarët shqiptarët trokitën, edhe pse në atë kohë në mënyrë të paligjshme, në përpjekjen e tyre për të jetuar të lirë.

Pamjet e vërshimit drejt Ambasadës gjermane janë ende të freskëta në kujtesën e shumëkujt prezent këtu. Kjo ishte më shumë se shembja e Murit për ne. Ishte hapja e dyerve drejt lirisë dhe mundësive për një jetë të re.

Gjermania ishte dhe mbetet padyshim motori që i dha jetë dhe mban në lëvizje projektin evropian.

Pavarësisht vështirësive që po kalon sot Evropa: krizës ekonomike, krizës së emigrantëve, BREXIT-it, terrorizmit dhe sfidave të tjera, Gjermania është e vendosur të mbajë në këmbë projektin evropian në të gjithë kontinentin.

Gjermania është konsoliduar si partner kyç e strategjik për sigurinë, paqen dhe begatinë për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Procesi  i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Merkel, është një mundësi për secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe synon t’u japë një dinamikë të re proceseve të integrimit evropian në rajonin tonë.

Ne ju  jemimirënjohës jo vetëm për mbështetjen që na keni dhënë e na jepni për integrimin evropian, por njëkohësisht për të gjithë atë ndihmë të jashtëzakonshme në ekonomi, në infrastrukturë, në energji, dhe në të gjithë sektorët e tjerë jetik për një zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik dhe për një arsimim profesional, sidomos për rininë tonë.

Dëshiroj t’ju falënderoj veçanërisht për mbështetjen tuaj ndaj Reformës në Drejtësi, e cila do të forcojë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe do të krijojë njëkohësisht një klimë më të favorshme e më të besueshme për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë.

Në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, ne kemi një bilanc bashkëpunimi të shkëlqyer, dhe një perspektivë shumë të qartë për thellimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat.

Presidenti Steinmeier më siguroi një javë më parë në Berlin se marrëdhëniet me Shqipërinë do të vazhdojnë të jenë të një rëndësie të veçantë për Gjermaninë, si marrëdhënie tepër të rëndësishme për të gjithë stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit tonë.

E nderuar Zonja Ambasadore,

Të nderuar të ftuar!

Në këtë Ditë të Bashkimit Gjerman, mesazhi im për ju është, se jo vetëm Gjermania, por edhe Shqipëria i përket Evropës, dhe jam i bindur se do ta përshkojmë këtë rrugë deri në fund së bashku.

Suksese Gjermanisë dhe kombit tuaj, sepse suksesi juaj është një sukses për të gjithë Evropën!

Ju faleminderit!”

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat