Vrasja e gjyqtares në dijeninë e drejtësisë, KLD kërkon ashpërsimin e ligjit

Shqipëria

Vrasja e gjyqtares në dijeninë e drejtësisë, KLD kërkon ashpërsimin e ligjit

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 09:35
Fildeze Hafizi

Vrasja e gjyqtares Fildeze Hafizi ishte kryefjalë për ditë me radhë në vendin tonë, ndërsa sistemi i drejtësisë me rastin e asaj ngjarjeje mori një goditje të rëndë. 

Historia e dhunës së ushtruar nga ishbashkëshorti që më pas çoi deri në ekzekutimin e saj, ishte i njohur nga të gjitha instancat e drejtësisë, nga të gjitha gjykatat, KLD, miq të viktimës në prokurori, magjistraturë dhe deri në avokaturë. Të gjithë kishin mësuar prej saj që i kërcënohej jeta e madje shqetësimi i gruas kishte shkuar deri në ministrinë e drejtësisë dhe Ambasadën Amerikane. Askush nuk reagoi dhe askush nuk mundi të parandalonte një prej ngjarjeve më të rënda që kanë ndodhur në vendin tonë. Hafizi u vra, e madje në pritë nga babai i fëmijëve të saj, ndërsa pas vrasjes presidenti i sapozgjedhur i vendit, Ilir Meta, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të datës 15 shtator kërkoi analizimin e gjithë situatës, fakteve dhe të vendimeve të gjykatave që çuan në mosmbrojtjen e jetës së një gruaje dhe të një gjyqtareje. Në mbledhje është kërkuar fuqizim i legjislacionit për të mundësuar realizmin mbrojtjes së personave që e marrin këtë urdhër. Në fakt, rrallë ka ndodhur në vendin tonë, pasi shumë prej grave që kanë rënë viktima të dhunës në familje kanë qenë nën këtë urdhër, por që janë vrarë nga bashkëshortët! Po sjellim një pjesë nga mbledhja e asaj date, konkretisht ku është folur për çështjen Hafizi!

Pjesë nga debati Gjin Gjoni: Çështja e zonjës Hafizi është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme, të them të drejtën, ka prekur të gjithë punonjësit e drejtë- sisë. Është një rast flagrant dhe tepër shqetësues. Në përgjithësi unë mendoj që ligji në lidhje me mbrojtjen e familjes ka pasur një lloj përmirësimi dhe ç’është e drejta ka dhënë efektet e veta, pavarësisht se ka gjykata, të cilat aktualisht janë pak të kufizuara në lidhje me urdhrat e mbrojtjes të cilat janë dhënë dhe gjykatat ndodhen, të them të drejtën, në një lloj vështirësie, për disa arsye. Duhet të biem në vëmendje edhe disa probleme të cilat të them të drejtën janë abuzive në lidhje me këto urdhrat e mbrojtjes; Pikë së pari, palët po i përdorin urdhrat e mbrojtjes për të krijuar auto-konfliktet pasurore brenda familjes dhe po të shohësh pjesa më e madhe sot e avokatëve të cilët orientojnë palët në lidhje me këto çështje janë që t’i orientojnë në mënyrë që të krijojnë sa më shumë urdhra mbrojtjeje, në mënyrë që të përfitojnë për shkak të konflikteve të zgjidhjeve të martesave ose pjesëtimit të pasurisë. Aspekti i dytë është që në të gjitha urdhrat e mbrojtjes janë disa vendime të cilat janë standarde dhe normalisht në momentin aktual çdo vendim për urdhër mbrojtje njoftohen edhe komisariatet përkatëse, njoftohen njësitë bashkiake, njoftohen të gjitha institucionet.

Ndoshta duhet njësi e posaçme pranë Policisë së Shtetit e cila të marrë dhe të evidentojë dhe të ketë në mbikëqyrje rastet në mënyrë që të mos ndodhin ngjarje të rënda të kësaj natyre siç është rasti i të ndjerës Hafizi. Aspekti i tretë është! Ka një moment që shteti për mendimin tim dhe një legjislacion duhet të ndërhyjë sepse në momentin e nxjerrjes së urdhrit të mbrojtjes të gjitha palët kërkojnë që bashkëshorti të largohet nga shtëpia dhe ka raste që të qëndrojë 100, 200,300 metra larg familjes, larg fëmijëve, larg gruas. Mirëpo, në kushtet e një niveli ekonomik, e cila ndodhet aktualisht Shqipëria, është një gjendje se ku do i çosh këta njerëz. Vendimi i gjykatës është që ta largosh, por duhet të ketë shteti disa banesa që të vendosen këta të cilët do jenë njerëz pa punë, njerëz invalid, njerëz me probleme të natyrave psikologjike dhe ndoshta ky problem duhet trajtuar, ndoshta dhe ligji dhe ministrja e Drejtësisë, meqenëse është këtu, ndoshta duhet të merret një iniciativë ligjore, që të bëhen dhe ndërhyrje të tilla në mënyrë që të perfeksionohet dhe kuadri ligjor ku t’i japi mundësi gjykatës që të arrijë të marri një vendimmarrje dhe të ndalohen rastet e kësaj natyre. Faleminderit!

Ilir Meta: Mendoj se duhet t’i kërkojmë të gjitha gjykatave të tjera që nuk kanë dërguar ende informacion që ta dërgojnë sa më shpejt dhe mbi bazë të kërkesave për informacion që kemi kërkuar të shohim dhe të bëjmë konkluzionet se çfarë mund të përmirësojmë për të ardhmen dhe sa më shpejt KLD-ja t’i rikthehet kësaj teme.

Etilda Gjonaj: Në fakt ashtu siç tha dhe zoti Gjoni, është një problem shumë shqetësues edhe për ne si Ministri e Drejtësisë. E kemi ndjekur këtë çështje. Ndoshta ka ardhur koha të rishikohet legjislacioni për ta bërë praktikën sa më të zbatueshme. Por jo vetëm legjislacioni por edhe këto mekanizmat ku të jenë mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje, pavarësisht ndoshta rasteve që zoti Gjoni përmendi mund të jenë dhe efektivisht të shtyra për shkak të disa manovrave që sugjerohen nga avokatët, përsëri ngelet një çështje shumë sensitive, shumë e ndjeshme, shumë e dukshme. Vetë fakti që kolegia e gjyqtarëve që janë anëtarë këtu pësoi atë fakt tragjik disa ditë më përpara, tregon që situata realisht është alarmante. Faleminderit!

Xhezair Zaganjori: Zoti President, bashkohem me parafolësit por nuk mund të rri pa thënë dy fjalë edhe unë për këtë çështje. Dhuna në familje mbetet një shqetësim jashtëzakonisht shumë i madh në realitetin shqiptar, ndërsa rasti më i fundit sigurisht që është një alarm për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe kjo na vë edhe neve para shumë detyrave gjyqësore por në përgjithësi gjithë mekanizmat e shtetit dhe në mënyrë të veçantë dhe mekanizmat ligj zbatues, prandaj unë them që sigurisht që më ka ardhur mirë dhe mbështes këtë iniciativën e marrë nga Presidenti i Republikës për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe kësaj çështje sepse ajo që kërkohet, mendoj unë, kërkohet në radhë të parë dhe mbi të gjitha një lloj koordinimi. Kur merr informacion mbi rastin e fundit për çështje që kanë të bëjnë me kërcënimet, me tentativat, për ta vrarë apo për ta vonuar të ndjerën Hafizi, për alarmin në fakt që ajo shpesh herë e paska shprehur, mbi rrezikun që e ka kërcënuar në mënyrë permanente, sigurisht ndjen keqardhje. Ndjen keqardhje shumë të madhe domethënë për shkak të mosfunksionimit të këtyre mekanizmave.

Neritan Cena: Zoti President, unë falënderoj që në pjesën e rendit të ditës keni përcaktuar edhe raportin mbi ndjekjen e detyrave ndoshta nga Këshilli Lartë i Drejtësisë për gjykatat në çështjet e lëshimit të urdhër mbrojtjes, por unë mendoj që çështja që duhet të ishte vendosur në rend dite, tjetër krahas kësaj, duhet të ishte dhe siguria që u ofrohet gjyqtarëve në ushtrimin e veprimtarisë së tyre. E pamë vetë sa e thjeshtë ishte që të vritej një gjyqtar nga një njeri i zakonshëm, mos të mendojmë më pas se sa e thjeshtë është për organizata kriminale ose grupe të strukturuara kriminale, që të ushtrojnë presione karshi gjyqtarëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre dhe çfarë u garantohet këtyre gjyqtarëve. Kush janë realisht mekanizmat konkretë, që gjyqtarëve t’u garantohet jeta. Shteti investon me burimet njerëzore, se në fund të fundit zonja Hafizi ishte produkt i Shkollës së Magjistraturës, investim i shtetit shqiptar për të pasur një drejtësi më të mirë, për të pasur njerëz më të kualifikuar por shteti nga ana tjetër nuk ndërmerr asnjë lloj mase, asnjë lloj veprimi për të garantuar në fund të fundit investimin e tij në burime njerëzore. Kështu që, unë mendoj zoti President, që duhet, krahas pjesës që kjo është shqetësuese, dhuna në familje është me të vërtetë shqetësuese por duhen ndërmarrë hapa konkretë dhe në garantimin e jetës së gjyqtarëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ky është propozimi im, për të mos dashur për të përsëritur sepse faktikisht problematikat lidhen me moszbatimin, nuk lidhen më shumë me vendimmarrjen se sa me zbatimin real.

Ilir Meta: Atëherë, mbasi të merret informacion më i plotë dhe të përpunohet, do ta rimarrim këtë temë këtu në KLD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat