30 fëmijë të vdekur në 20 muaj, Policia Rrugore: Rrisim kontrollet

Shqipëria

30 fëmijë të vdekur në 20 muaj, Policia Rrugore: Rrisim kontrollet

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 16:24
Ilustrim

Policia Rrugore publikoi sot bilancin e fëmijëve të aksidentuar në akset rrugore me pasojë vdekjen, ku në 20 muaj llogariten 30 fëmijë të cilët kanë humbur jetën, ndërsa 64 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda.

Ervin Dervishi, specialist i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, u shpreh në Report Tv se bilanci është për t'u marrë në konsideratë.Ai tha se policia ka ndërmarrë kontrolle të shtuara për ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve dhe penalizimin e shkelësve në rrugë.Specialisti i Sigurisë Rrugore tha se policia i di zonat me rrezikshmëri të lartë për aksidente dhe për këtë shkak ka rritur kontrollet në ato pika, ndërsa si shkak për aksidentet cilësoi pakujdesinë e këmbësorëve dhe të drejtuesve të mjeteve.

Z.Dervishi, janë 30 fëmijë që kanë humbur jetën, pse kaq shumë aksidente?

Janë 30 fëmijë të grupmoshës 0 deri në 15 vjeç që nga janari 2016 e deri në 31 gusht 2017, kanë humbur jetën. 64 prej tyre janë plagosur rëndë. Një bilanc i rënduar me fëmijë që kanë humbur jetë, si dhe ka me pasoja të rënda për të lënduarit. Është një bilanc për t'u marrë në konsideratë. Prej një viti e gjysmë kemi bërë ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve, kemi shtuar kontrollet për sigurinë e fëmijëve në automjet të cilët transportohen nga shkollat në shtëpi dhe anasjelltas si dhe për prindërit që transportohen nga prindërit e tyre. Kjo shifër nuk i përket vetëm kategorisë së transportit e pasagjerëve, por për fëmijë të aksidentuar edhe në rrugë. 

Shkaku kryesor kush është?

Mosrespektimi i vijave të bardha, pra mungesë vëmendje nga këmbësorët. Kemi ndërmarrë edhe për këtë fushata ndërgjegjësuese. Ka bërë goxha punë ndërgjegjësimi ynë, por ka ende shumë punë për t'u bërë.

Ka të dhëna se ku ndodhin këto aksidente, pranë shkollave, jashtë Tiranës, cilat janë zonat e rrezikshme?

Policia Rrugore ka hartën e zonave me rrezikshmëri, të zonave të zeza dhe në bazë të kësaj harte është në terren për të shtuar kontrollet në rrugë. Ka të qarta dhe shkaqet. Ka pakujdesi nga këmbësorët siç është p.sh kapërcimi i trafikndarëseve në zonat urbane, në zonat interurbane. Ka një numër të lartë të aksidentuarish si pasojë e kalimit të trafikndarëseve. Shkaqe të tjera të rasteve fatale janë përdorimi i alkoolit, mospërdorimi i rripit të sigurimit, shpejtësia tej normave të lejuara, mospërdorimi i kaskës mbrojtëse, si shkaqe tipike. 

Ka një përpjekje për sensibilizimin e nënave të reja për sediljen në automjete. Është shkak për humbjen e jetëve të fëmijëve mosrespektimi i këtij kushti?

Ne kemi sanksionuar në masë maksimale mos respektimin e këtij kushti nga gjoba si dhe kemi hequr lejet e drejtimi. Në mënyrë që kjo të mos jetë më çështje frike, kjo pjesë, por të jetë kusht. Sanksionohet që të gjithë pasagjerët në automjet duhet të përdorin rripin e sigurimit, si përpara ashtu edhe pas. Ndërsa fëmijët deri në 12-vjeç, të cilët janë pasagjerë në vendet e para, është kusht i padiskutueshëm që të kenë pajisje fiksuese, sedilje të posaçme. Kushti është i njëjtë për të gjithë drejtuesit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga ky fenomen, kemi parë se duke ardhur po pakësohen shkelësit, kemi drejtues mjetesh të ndëshkuar nga 3-4 herë për të njëjtën shkelje. Ka një ndërgjegjësim të madh për këtë pjesë. Një drejtues mjeti e ka kusht tashmë vendosjen e rripit të sigurimit, ndryshe nga dy vite më parë. Ka gjoba në vlerë leku, ka gjoba në heqjen e lejes së drejtimit e deri në konfiskim të mjetit. Policia rrugore e ka bërë të qartë misionin e saj, ndërgjegjësimi vijon të bëhet dhe paralelisht zbatojmë masat e ashpra me gjoba. 

Kanë dhënë efekte këto masa?

P.sh për shkeljet e semaforit dhe vendosja e rripit të sigurimit, kemi një ndërgjegjësim të drejtuesve të mjeteve. Masat janë forcuar dhe masa e gjobës është rritur. Kemi drejtues mjetesh me leje drejtimi të pezulluar, por sërish gjejnë një mënyrë për të drejtuar automjetin në fshehtësi. Ndërsa gjoba është shumë e rëndë. Masat e ndërmarra kanë dhënë efektin e tyre. Policia do nisë gjithashtu një aksion për kundër përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit. Aksioni do nisë nga data 5 tetor. Do ketë një seleksionim se cilat janë zonat më të shtuara ku drejtuesit e mjetit kanë prevalencë të përdorin telefonin. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat