“Qeveria nuk përmbushi detyrimet e NATO-s, buxheti nën 1%”

Shqipëria

“Qeveria nuk përmbushi detyrimet e NATO-s, buxheti nën 1%”

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 08:29
Samiti i Natos

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria do të modernizojë forcën e saj ushtarake në takimin që Shtabet e Përgjithshëm të vendeve anëtare të NATO po zhvillojnë në Tiranë, ka shkaktuar dhe përplasje mes tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike.

Në mbledhjen e krerëve të krerëve të Shtabeve të Përgjithshme ku diskutohet mbi një seri temash, që nga rezultatet në luftën kundër terrorizmit te angazhimi në Iraq e Afganistan dhe situata në Ballkanin perëndimor, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se vetëm integrimi i plotë i vendeve të mbetura jashtë NATO-s është rruga për stabilizimin e Ballkanit dhe vetë Evropës, ndërsa siguroi se Shqipëria do të modernizojë forcën e saj ushtarakë dhe garantoi përkushtim në misionet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Rama tha se Shqipëria ka një interes, por edhe përgjegjësi që si pjesë organike e rajonit dhe kontinentit të shndërrohet në një faktor të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit.

Reagimi

Pas fjalën që mbajti Rama në takimin e shefave të shtabit të NATO-s, kreu i opozitës Lulzim Basha, e akuzonte kryeministrin se nuk kishte përmbushur detyrimet ndaj aleancës, duke ulur buxhetin për mbrojtjen në kuotat më të ulëta historike. “Përpara se tu japë mend vendeve anëtare dhe themeluese të NATO-s, apo gjeneralëve me përvojë dhe me shumë yje, se ç’duhet të bëjë kjo organizatë me rajonin tonë, e në të ardhmen e saj, Edi Rama bën mirë të plotësojë detyrimet që ka Shqipëria” shkruan zoti Basha. Sipas tij Edi Rama e ka zbritur buxhetin për mbrojtjen kombëtare në kuotën më të ulët historike në 27 vjet, 0.75 për qind, si asnjë vend tjetër anëtar i NATO-s.

“Në vend që të garantojë buxhet për forcat e armatosura, për trajnimin e tyre, për rritjen e kapaciteteve dhe aftësisë vepruese, Edi Rama ka dërguar qindra milionë për fasada godinash, për rehatinë dhe luksin personal të zyrës së ministres, si dhe qindra milionë lekë të tjera janë tretur rrugës nëpër tendera skandalozë siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Është jo vetëm qesharake por edhe e rrezikshme të sillesh si lider global kur nuk bën detyrat e shtëpisë”, shkruan me ironi kreu i opozitës së djathtë Luzim Basha. Dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se është e papranueshëm që në Shqipëri zhvillohet një takim kaq i rëndësishëm, por ndërkohë buxheti i qeverisë për ushtrinë është nën 1 për qind.

“Takimi i shefave te shtabeve të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë është një ngjarje historike dhe me rëndësi të madhe jo thjeshtë për Forcat e Armatosura por vendin tonë. Është e papranueshme që ky aktivitet me rëndësi të jashtëzakonshme ushtarake të mbytet nga propaganda mediatike e qeverisë, duke shmangur thelbin e takimit dhe vlerën e tij me deklarime butaforike. Ky takim kërkon një reflektim me përgjegjësi për FA të vendit tonë si vend anëtarë i NATO-s. Është e papranueshme që buxheti i mbrojtjes të jetë në minimumin historik nën 1 për qind, në kundërshtim me vendimin e parlamentit dhe angazhimin në Samitet e fundit të NATO-s. Kërcënimet nuk janë më thjeshtë siç ka paraqitur qeveria në programin e saj, por shumë më hibride dhe kjo kërkon një strategji të re të mbrojtjes mbështetur nga Pentagoni, mbas një “defense revieë” të domosdoshme.

Qeveria duhet të kuptoje së FA nuk mund të vihen në shërbim të çdo urdhri të qeverisë, por të atyre që janë përcaktuar në misionin e tyre. FA nuk mund të shndërrohen në shërbimin komunal të qeverisë. Është nevojë urgjente, miratimi i një ligji për organizmin dhe funksionimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare i cili drejtohet nga Presidenti.

Takimi

Duke ju referuar zhvillimeve në disa vende të Ballkanit Rama tha se pas zgjedhjeve të fundit Serbia ka dhënë sinjale në favor të një qasjeje të re politike në favor me NATO dhe BE. Në vlerësimin e kryeministrit shqiptar “Maqedonia po bën përpjekje për axhendën integruese dhe për të nisur një marrëdhënie të re, duke i hapur shanset e vendit për pikëpamje evropiane”.

Duke u ndalur mbi rreziqet që i kanosen rajonit, kryeministri Rama u ndal tek ato që i quajti përpjekjet e nxitura nga palë të treta për destabilizim në Mal të Zi. “Në këtë valë frymëzimi u prekën edhe vendet e tjera në rajon, por së fundi jemi dëshmitarë se këto përpjekje morën përgjigje të qartë, fale perspektivës dhe mbështetjes së partnerëve euroatlantikë” tha Edi Rama. Në fund shefi i qeverisë ka përsëritur se integrimi i vendeve të rajonit të jetë prioritet në mënyrë që palë të treta mos kërcënojnë sigurinë në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat