NATO zbarkon në Tiranë, Rusia shton presionin dhe tregon dhëmbët

Shqipëria

NATO zbarkon në Tiranë, Rusia shton presionin dhe tregon dhëmbët

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 12:55
Konferenca e NATO-s

Në kohën kur Rusia ka nisur një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake në kufirin me NATO-n, tensioni është i lartë.

Raportohet se SHBA ka vendosur në dispozicion një fond prej 250 milionë dollarësh për të ndalur ndikimin rus në rajonin e Ballkanit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Pikërisht në këto momente tensioni, drejtues të lartë të aleancës ushtarake kanë zbarkuar në Tiranë.

Në kryeqytet po mbahet Konferenca vjetore e Komitetit Ushtarak të NATO-s, ku ishin të pranishëm Shefat e Shtabeve të vendeve anëtare të Aleancës.

Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Edi Rama i përmendi presionet nga aktorë të tretë, pa theksuar ndonjë emër.

“Me hyrjen e Malit të Zi në NATO, gjë të cilën Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht qysh në krye të herës, Aleanca jonë përveçse Atlantike u bë plotësisht edhe “Adriatike”. Tashmë Deti Adriatik është shndërruar në një det të brendshëm për Aleancën, duke i dhënë asaj kontrollin mbi një aset maritim shumë të rëndësishëm për sigurinë europiane.

Megjithatë, hartës së NATO-s i mungojnë Bosnja Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia. Kjo  zonë, ende e papërfshirë organikisht në arkitekturën e sigurisë europiane, përbën një faktor paqartësie strategjike për Aleancën tonë.

Ashtu sikundër, edhe një territor ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim.

Shqipëria, si një vend që kufizohet apo ndërvepron në shumë mënyra me këto vende, ka një interes, por ka edhe një përgjegjësi të veçantë, që kjo pjesë organike  e rajonit dhe e kontinentit tonë të shndërrohet edhe në një faktor të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit të tij. Në përmbushje të kësaj përgjegjësie edhe si vend i NATO-s, ne jemi përpjekur dhe kemi arritur, besoj, jo pak, në një proces që vazhdon,” tha Rama.

“Duke ndjekur një kurs të vendosur për të thelluar reformat e gjithanshme në vend, ku prin padyshim Reforma e Drejtësisë, duke ndjekur një politikë të hapur, me frymë integruese, në rajon, duke mbajtur barrën tonë në kuadër të angazhimeve të NATO-s, si dhe duke modernizuar Forcat tonë të Armatosura, ne besojmë se do të arrijmë të përmirësojmë më tej klimën e përgjithshme të paqes dhe sigurisë, si dhe të shërbejmë më mirë për qytetarët tanë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat