Basha paralajmëron Ramën: Do të bëj çdo përpjekje që të dalësh para drejtësisë

Shqipëria

Basha paralajmëron Ramën: Do të bëj çdo përpjekje që të dalësh para drejtësisë

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 07:17
Rama dhe Basha

Partia Demokratike dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të bëjnë çmos që Edi Rama të vendoset para përgjegjësisë për lidhjet që ka me trafikun e drogës.

Paralajmërimi është bërë nga kreu demokrat, Lulzim Basha, sipas të cilit sekuestrimi i një sasie prej 2.3 tonë marijaunë nga Guardia Di Finanza në Itali, ku u arrestua edhe një shqiptar, tregon se lufta që Rama i ka shpallur drogës, është e gënjeshtërt.

“Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.

Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit, të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat