Në Drejtësi dhe Ekonomik duhen edhe 700 studentë

Shqipëria

Në Drejtësi dhe Ekonomik duhen edhe 700 studentë

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 19:48
Ministria e Arsimit e Shqipërisë

Dy ditë pasi Ministria e Arsimit e Shqipërisë u dërgoi universiteteve të dhënat për maturantët që duan të ndjekin studimet e larta, Fakulteti i Ekonomisë dhe ai i Drejtësisë kanë gati listat e fituesve dhe renditjen e aplikantëve sipas pikëve për raundin e parë.

“Në Fakultetin e Ekonomisë ka pasur 20 mijë e 416 aplikime, në vend të parë është administrim biznesi. Në Fakultetin e Ekonomisë nga 1280 kuota pa filialin e Sarandës, nëse regjistrohen të gjithë fituesit e shpallur sot na mbeten 395 kuota të lira. Janë të gjitha mundësitë që çdo kandidat me një mesatare të paktën mbi 7.5 të bëhet student në fakultetin e ekonomisë", shprehet Dhori Kule, dekan  i Fakultetit të Ekonomisë.

Njësoj si praktika e vitit të kaluar, për këtë raund të parë, kandidatët do të kenë në dispozicion 7 faza për t’u shpallur fitues. Dekani i Drejtësisë thotë se megjithë kërkesat e larta, mundësitë janë të mëdha

“Ne kemi 6435 aplikime. Nëse edhe sivjet do të regjistrojmë 400 studentë, mbeten 300-350 kuota të paplotësuara që do të plotësohen në fazat e tjera të raundit të parë", thotë Artan Hoxha, Dekan Fakulteti i Drejtësisë.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit kandidatët kanë vetëm 48 orë kohë për t’u regjistruar nga njëra fazë në tjetrën, ndërsa mundësia e vetme për tu çregjistruar është data 12 shtator.

Universiteti i Tiranës: aplikimet 2017-2018

Fakulteti i Ekonomisë 20.416 aplikime Administrim Biznes 6987  Financa 5500 Ekonomiks 4000 Informatika Ekonomike 4000

Filiali i Sarandës 92  395 kuota të paplotësuara

Fakulteti i Drejtësisë: 6435 aplikime  300-350 kuota të paplotësuara

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat