Aplikimi për master, programet dhe procedura

Shqipëria

Aplikimi për master, programet dhe procedura

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 15:20
Ilustrim

Aplikimet në programet e ciklit të dytë të studimeve me kohë të plotë do të bëhen deri në datën 20 tetor për universitetet publike dhe deri në 27 tetor për institucionet e arsimit të lartë privat. Gjithçka përcaktohet në një udhëzim të ministres së Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina, që mban datën 16 korrik 2017.

Të drejtën për të aplikuar në programet e masterit profesional dhe shkencor e kanë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të ciklit të parë. Po ashtu, këtë të drejtë e kanë edhe të diplomuarit jashtë vendit, pas njehsimit të diplomës pranë Ministrisë së Arsimit brenda muajit dhjetor 2017.

Procedurat kryhen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatës, ndërkohë që të interesuarit duhet të paraqiten personalisht ose nëpërmjet një personi të autorizuar, duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm, raporton "Scan".

Shpallja e fituesve do të bëhet brenda datës 24 tetor për universitetet publike dhe 31 tetor për ato private. Ndërkohë që, kandidatët kanë të drejtën e ankimimit, brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve.

Sipas udhëzimit, regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues do të bëhet deri në datën 30 tetor në institucionet e arsimit të lartë publike dhe brenda 6 nëntorit, në institucionet private.

Sikurse përcaktohet në ligjin e Arsimit të lartë, kuotat, tarifat dhe kriteret për këto programe studimi do të vendosen nga vetë universitetet.  Për vitin akademik 2017-2018 universiteti i Tiranës ka përcaktuar 3108 kuota për masterin profesion dhe 3920 kuota për atë shkencor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat