Qeveria shqiptare ndryshon procedurat për të fituar banesat sociale, ja si të aplikoni

Shqipëria

Qeveria shqiptare ndryshon procedurat për të fituar banesat sociale, ja si të aplikoni

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 08:09
ilustrim

Pas miratimit të udhëzimit për programin social të strehimit, tashmë ndryshon neni për aplikimet dhe përzgjedhjen e përfituesve që do të subvencionohen nga shteti në banesat ku do të jetojnë.

Me klauzolën e re, kërkesat për strehim do të kalojnë përmes një sistemi elektronik. Kjo do të thotë që të gjitha aplikimet, për të qenë përfitues i një prej programeve të strehimit, do të mund të bëhen online. Pasi e paralajmëroi një gjë të tillë pak muaj më parë, kur u miratua edhe udhëzimi i ri, Ministria e Zhvillimit Urban ka hedhur hapin e parë drejt konkretizimit të nismës. Përmes një udhëzimi janë detajuar të gjitha praktikat që do të ndiqen nga qytetarët dhe punonjësit e bashkisë deri në shpalljen e listave të fituesve.

Jo vetëm kaq, qytetarët po ashtu do të kenë mundësi që të ndjekin në vijimësi procesin. Të dhënat personale janë “kodi” për të mësuar gjithçka mbi ecurinë e dosjes së tyre. “Nëpërmjet këtij sistemi synohet që të unifikohen procedurat e aplikimit për programet e strehimit në 61 Bashkitë e vendit. Sistemi do të ofrojë elektronikisht për çdo qytetar mundësinë për të aplikuar online, marrë informacion, si dhe të shkarkojë formularët e aplikimit. Gjithashtu online do të mundësohet ndjekja e të gjitha procedurave, deri në fazën përfundimtare të miratimit nga Këshilli Bashkiak”, thuhet në udhëzim. Qëllimi i ngritjes së këtij sistemi është jo vetëm eliminimi i mundësive abuzive, por edhe ofrimi i lehtësive për qytetarët dhe shmangja e radhëve nëpër sportele. Veç kësaj, vënia në jetë e këtyre rregullave të reja do t’i krijojë kushtet Ministrisë që mbulon çështjet e strehimit që të monitorojë procesin.
Aplikimi

Të drejtën e aplikimit për t’u trajtuar me strehim e kanë të gjitha familjet, por kategori të caktuara janë të favorizuara, pra kanë përparësi në raport me të tjerët. Kjo është e përcaktuar mbi bazën e kushteve ekonomike, sociale dhe familjare. Të tilla janë të gjithë ata që trajtohen me ndihmë ekonomike. Nga të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit Urban mësohet se nga kjo kategori kanë paraqitur kërkesë 3223 familje. I lartë është edhe numri i aplikimeve nga gratë kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuara si edhe çiftet e reja përkatësisht me 2611 kërkesa, 2228 dhe 2598. Ndërkohë shifra të ulëta janë regjistruar nga radhët e të familjeve të policëve të rënë në detyrë, azilkërkuesve si edhe grave të dhunuara. Por aplikime janë regjistruar edhe nga radhët e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Këto dy kategori po ashtu do të kenë përparësi gjatë aplikimeve. “Disa prej bashkive kanë evidentuar edhe grupe të tjera vulnerabël që duhen marrë në konsideratë. Për shembull: në Durrës një grup të rëndësishëm formojnë familjet e ish-pronarëve me 554 aplikime dhe në Shkodër kemi 10 aplikime nga të persekutuarit”, specifikohet në udhëzim. Referuar të dhënave zyrtare mësohet se në të gjithë vendin janë 32 mijë familje me status të pastrehë. Por duke qenë se jo të gjitha bashkitë kanë raportuar, mendohet se kjo shifër është edhe më e lartë. Aktualisht janë 5336 familje që trajtohen me një nga programet e strehimit.

Programet

Gjithsej do të jenë 6 programe sociale, që do të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve,. Krahas programit të banesave sociale me qira dhe shpërndarjes së banesave me kosto të ulët, në skemë janë përfshirë edhe disa programe të tjera, siç është ai për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, krijimi i strehëve të përkohshme, si edhe programi për ndërtimin e banesave të specializuara. Ndërkohë, bëhet e ditur se Enti Kombëtar i Banesave ka përfunduar ndërtimin e 200 apartamenteve për të pastrehët. Banesat me kosto të përballueshme janë ndërtuar në Fier, Lushnje, Librazhd dhe Berat dhe përfituesit e tyre përzgjidhen me vendim të Këshillit Bashkiak sipas kritereve të përcaktuara. Sipas EKB-së, procesi është drejt përfundimit dhe banesat janë gati për shpërndarje. “Janë mbyllur investimet në katër qytete. Në Berat ka përfunduar ndërtimi i një objekti me 35 apartamente, sikundër edhe në Librazhd, Lushnje dhe Fier. Në Fier, pas përmbylljes së procedurave do të jenë gati 75 apartamente për qytetarët”, shkruan Enti i Banesave.

Përfituesit

Familjet që nuk disponojnë banesë në  pronësi; banojnë në banesa me rrezik shembjeje; banojnë në banesa të mbipopulluara; kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha nga fatkeqësitë natyrore; familjet ose individët që humbasin banesën si pasojë e zhvendosjes a zbatimit të vendimeve gjyqësore.

Kushtet familjare
Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna; të moshuarit që kanë mbushur moshën e pensionit dhe nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore; familjet me më shumë se 4 fëmijë; çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç

Kushtet sociale

Personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave, për këto kategori, ku përfshihen edhe invalidët e punës; personat me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore e deri në moshën 30 vjeç; familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve; emigrantët e rikthyer, punëtorë emigrantë; familjet e policëve të rënë në detyrë; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit; vajzat nëna.
5336 familje që trajtohen me një nga programet e strehimit numërohen aktualisht në të gjithë vendin, ndërsa nevojat sot janë për 32 000 familje/Shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat