Politologu Iljazaj në krah të Bashës: Avancoi demokracinë me ministrat teknikë

Shqipëria

Politologu Iljazaj në krah të Bashës: Avancoi demokracinë me ministrat teknikë

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 06:54
Iljazaj

Sipas tij, kjo lëvizje e kreut të opozitës, pavarësisht rezultatit të zgjedhje krijoi një standard tjetër për demokracinë.

Këtë analizë ai e ka bërë në një shkrim për “Mapo”.

E megjithatë, Lulzim Basha, marrëveshja dhe ministrat teknikë e avancuan demokracinë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Publikimi i raportit të ministrave teknikë ka ngjallur një furtunë debatesh mbi qëndrimin e Partisë Demokratike mbi zgjedhjet e 25 Qershorit, si dhe për aksionin e saj politik për sa i përket marrëveshjes Rama-Basha.

Edhe pse ka qëndrime të ndryshme, nuk asnjë dyshim se në tërësinë e saj marrëveshja politike si dhe beteja opozitare e Lulzim Bashës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe krijimin e një klime të re politike që nuk ekzistuar asnjëherë më parë.

Edhe publikimi i raportit në vetvete me problematikat që u konstatua, përbën një interes publik për të theksuar dhe për të korrigjuar njëherë e mirë procesin zgjedhor. Në këtë kuptim, misioni i ministrave teknikë përfshi këtu dhe raportin e tyre mund të konsiderohet i përmbushur me sukses. Ajo që është e papranueshme nga Lulzim Basha është fakti i kontestimit të zgjedhjeve për të justifikuar humbjen e tij. Me gjithë problematikën e zgjedhjeve, ato nuk ndikuan në rezultatin e përgjithshme të tyre. Shoqëria shqiptare kësaj herë ishte qartësisht për mandatin e dytë të Ramës.

Përtej debatit mbi zgjedhjet apo raportin e tyre nga ana e ministrave teknikë, kësaj herë dialektika politike, për meritë të marrëveshjes politike, por, dhe të vetë Lulzim Bashës qartësisht ka ngritur politikën dhe demokracinë shqiptare në një nivel tjetër. Një nivel ku për herë të parë konfliktualiteti politik i la vendin bisedimeve dhe përpjekjeve për të krijuar një proces zgjedhor me standarde europiane.

Kështu që, Basha duhet të vazhdojë betejën e tij politike me ndërgjegjen e plotë se politika e tij opozitare ka qenë më se e vlefshme për të gjithë sistemin politik shqiptar. Përpjekje të cilat duhet t’i përvetësojë pa asnjë dyshim dhe t’i çojë përpara.

Me insistimin e tij konstant duke e kthyer çështjen e kriminalizimit në fokus të opinionit publik, Shqipëria ka sot një ligj i cili dha efektet e tij që në këto zgjedhje. Mund të bëhet çdo analizë mbi listat e deputetëve, por një gjë është e sigurt, që në këto lista nuk ka patur asnjë rast ku të jetë kandiduar një person me probleme të rëndësishme ligjore.

Protesta e tij në çadër futi në diskursin publik si asnjëherë më parë kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke arritur një marrëveshje politike me Kryeministrin Rama për sigurimin e standardeve në zgjedhjet e 25 Qershorit. Kjo marrëveshje për herë të parë evitoi përdorimin e administratës publike gjatë fushatës zgjedhore. Depolitizimi i shtetit gjatë një procesi kaq thelbësor për demokracinë, është një nga meritat kryesore të kësaj marrëveshjeje. Sigurisht që Shqipëria do vazhdojë të ketë problematika, pasi ato nuk zgjidhen përfundimisht në një palë zgjedhje, por, padyshim në këto zgjedhje ato ishin në nivele të ulëta si asnjëherë më parë.

Të gjithë kritikët kundër tij të cilët e akuzojnë se shiti zgjedhjet te Rama, a thua se një politikan hyn në zgjedhje për t’i humbur ato me një logjikë absurde, nuk arrijnë të kuptojnë dhe të dalin përtej interesave të ditës politike që, brenda kontekstit dhe momentit politik në të cilin ndodhej Shqipëria, Basha arriti të marrë maksimumin nga aksioni i tij opozitar, duke kontribuar edhe në disa çështje thelbësore me interes publik. E vetmja gjë nga e cila Basha duhet të heqë dorë sa më shpejt është alibia e humbjes për shkak të manipulimit të zgjedhjeve dhe të fokusojë aksionin politik te fitimi i besimit të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat