Shqiptarit i bllokohet llogaria me mbi 500 mijë dollarë

Shqipëria

Shqiptarit i bllokohet llogaria me mbi 500 mijë dollarë

Më: 10 gusht 2017 Në ora: 18:28
ilustrim

Policia e Vlorës në bashkëpunim me prokurorinë kanë ekzekutuar sekuestrimin preventiv të një llogarie bankare me vlerë 531 mijë dollarë në një bankë të nivelit të dytë, për llogari të një hetimi për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Personi ndaj të cilit zhvillohen këto hetime është pronari i një rrjeti restorantesh në qytetin e Vlorës dhe Tiranës, shkruajnë mediat shqiptare.

Nga hetimet e kryera kanë lindur dyshime se pas disa transaksioneve bankare të pajustifikuara për shitjen e një prone të paluajtshme në Tiranë mes personit në hetim dhe një shtetasi amerikan, fshihen tentativa për pastrim të parave, origjina e të cilave është e dyshimtë me prejardhje kriminale.

Sipas prokurorisë, mes shtetasit shqiptar që është nën hetim dhe shtetasit amerikan që ka transferuar paratë në Shqipëri, nuk ekziston asnjë lloj kontratë shitblerje apo porosie të ndonjë prone të paluajtshme.

Në bazë të hetimeve të kryera nga prokuroria e Vlorës dhe kërkesës së saj, gjykata e qytetit bregdetar vendosi në datë 9 gusht për sekuestrimin preventiv të llogarisë bankare me një vlere prej 531 mijë dollarësh, deri në përfundimin e plotë të hetimeve për këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat