"Pse më sheh", luftë me thika e armë, vëllezërit 'masakruan' të riun në Shkodër

Shqipëria

"Pse më sheh", luftë me thika e armë, vëllezërit 'masakruan' të riun në Shkodër

Më: 8 gusht 2017 Në ora: 09:25
Ilustrim

Pas sherrit për motive të karakterit krejt banal “pse më sheh”, përfundon me plagosje me thikë të një të riu në Shkodër dhe me të shtëna arme.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të së dielës, në hyrje të lagjes “Tepe”, në Shkodër, dhe sipas Policisë, i plagosuri është shtetasi Nikolin Lame, 20 vjeç. Ky i fundit ka shkuar në spitalin rajonal të Shkodrës i plagosur me mjete mprehëse në shpatullën e tij. Pas ekzaminimit, rezulton se 20-vjeçari është plagosur me armë të ftohtë thikë, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia bashkë me grupin e ekspertëve për të hetuar mbi këtë ngjarje. Pas hetimeve, forcat e policisë kanë arrestuar dy shtetas dhe një tjetër është shpallur të kërkim.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë plagosur të riun. Sipas Policisë, në pranga kanë rënë vëllezërit Avdyl Lushaj, 25 vjeç, dhe Saimir Lushaj, 27 vjeç, të dy banues në lagjen “10 Korriku”. Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin S.L., 20 vjeç, gjithashtu banues në lagjen “10 Korriku”. Burime të policisë bënë me dije se dy ditë para ngjarjes, 20-vjeçari i plagosur dhe shtetasit e arrestuar kishin debatuar mes tyre. “Ka qenë një debat i kotë për motive të dobëta e tipit ‘pse më sheh’, çka degradoi më pas me ngjarjen e ndodhur në orët e vona të datës 6 korrik në lagjen ‘Tepe’”, bëri të ditur Policia.

Sipas të dhënave, fillimisht Nikolin Lame nuk ka pranuar se është plagosur nga persona të tjerë. Ai ka deklaruar në spital se ka rënë nga një ndërtesë dhe është plagosur. Forcat e policisë kanë vijuar duke e marrë në pyetje derisa ka treguar se çfarë ka ndodhur. Nga ana tjetër, vëllezërit Lushaj, pas ngjarjes së ndodhur në momentin e arrestimit, ndodheshin në shtëpinë e tyre. Policia ka mbërritur në banesën e tyre në lagjen “10 Korriku” pak metra larg nga vendi i ngjarjes duke i arrestuar. Avdyl dhe Saimir Lushaj kanë mohuar se janë ata autorët e plagosjes së të riut. Po ashtu dy personat e akuzuar mohojnë totalisht se kanë ndonjë lidhje apo konflikt me personin që mbeti i plagosur.

Pas veprimeve proceduriale, janë gjetur në vendin e ngjarjes 7 gëzhoja armë zjarri pistoletë dhe sipas policisë, edhe disa prova të tjera biologjike që implikojnë shtetasit e arrestuar. Banorët aty afër kanë dëgjuar të shtëna me armë. Policia ka arritur në konkluzionin se të shtënat kanë qenë në ajër, ndërsa 20-vjeçari është plagosur me thikë. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kanosje”, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta e kryer në bashkëpunim”. Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që për pak i mori jetën të riut. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat