Berati dhe Mati “thahen” për ujë të pijshëm

Shqipëria

Berati dhe Mati “thahen” për ujë të pijshëm

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 14:12
Pa ujë

Mungesa e ujit të pijshëm në qytetin e Beratit është kthyer në një shqetësim serioz për banorët por edhe për turistët prej të cilëve ky qytet frekuentohet. Thuajse të gjitha lagjet furnizohen me ujë të pijshëm vetëm 2 orë gjatë gjithë ditës.

Kështu lagjet në periferi të qytetit “Uzonëv”, lagja “Mangalem” ’30 Vjetori” furnizohem me ujë të pijshëm vetëm dy orë gjatë darkës. Ndërkohë që lagjet e tjera të qytetit si “Goricë”, “Kala”, furnizohen me ujë të pijshëm vetëm një herë në mëngjes. E gjithë kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët e Beratit, të cilët shprehen se po i përballojnë me mjaft vështirësi këto ditë tepër të nxehta.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar burime pranë Ujsjellës Kanalizime Berat-Kuçovë bëjnë me dije jashtë kamerave se gjithçka ka ardhur si pasojë e prurjeve tepër të pakëta të vendburimit të Bogovës, i cili është në pikat më kritike.

Situata është e njëjtë edhe në Burgajet të Matit. Problemi me ujin e pijshëm i ka nxjerrë banorët në protestë. Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje.

Ndërkaq drejtori i Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Mat, Arjan Lika tha se problemi i vonesës së ujit të pijshëm është krijuar nga vetë banorët.

“Ka pasur një mosmarrëveshje dhe mes njëri-tjetrit për të vcaktuar pikat e lidhjeve në kolektor. Kemi bërë takime dhe nga tani nuk do ketë asnjë problem për furnizmin me ujë të pijshëm”.

Lika ka mohuar akuzat e banorëve se mosfurnizmi me ujë të pijshëm lidhet me motive politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat