Protesta e dytë kundër rritjes së çmimit të ujit nga Veliaj

Shqipëria

Protesta e dytë kundër rritjes së çmimit të ujit nga Veliaj

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 08:03
Protesta

Është mbajtur një protestë tjetër dje para hyrjes së bashkisë së Tiranës kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm. Bashkia e Tiranës, në një mbledhje këshilli pasditen e së enjtes ka miratuar me 31 vota pro të këshilltarëve të PS-së, 2 të LSI-së, të PDIU-së dhe të FRD-së, rritjen e çmimit për ujin e pijshëm. Pas protestës së qytetarëve zhvilluar paralelisht me mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ditën e enjte, dje një protestë zhvilluan të rinjtë e Partisë Demokratike. Rreth orës 18:00 dhjetra të rinj demokratë me bitona në duar kanë dalë para bashkisë së Tiranës për të kundërshtuar rritjen e çmimit të ujit për qytetarët.

Rritja e tarifave është miratuar ditën e enjte por kundërshtimi do të vijojë, mesa duket deri në shtator kur ERRE do të jap vendimin përfundimtar. Protestuesit kanë hedhur parulla kundër Erion Veliajt, duke e cilësuar atë si hajdut dhe i kanë kërkuar të jap dorëheqje. Ata kanë thirrur “Turp”, “Hajdut”,  “Jep dorëheqjen”, “Lali leku” etj. Para bashkisë ishin vendosur shumë bitona dhe thirrjet kundër Veliajt janë shoqëruar me përplasje butonash. “Në lidhje me aplikimin që shoqëria e UK Tiranë ka depozituar pranë ERRU-së më datë 30 qershor 2017 për miratimin e tarifave të reja të shërbimeve të Ujësjellës Kanalizimeve për konsumatorët në territorin administrativ të Bashkisë Tiranë njoftojmë: ERRU në zbatim të akteve ligjore është në fazën e verifikimit formal të dokumentacionit të paraqitur nga UKT për ndryshimin e tarifave.

Gjatë kësaj periudhe në vijim të komunikimit zyrtar nga ana e shoqërisë janë realizuar përkatësisht seanca e Këshillit Bashkiak Tiranë për të shprehur opinionin e saj mbi propozimin e tarifave të reja si dhe seanca dëgjimore me publikun. Dosja e plotë e propozimit sëbashku me detajet shtesë sqaruese që do të kërkojë Komisioni Kombëtar Rregullator i ERRU do të fillojë të shqyrtohet në fund të muajit gusht 2017, procesi i vlerësimit të së cilës deri në vendimmarrjen kolegjiale nga ky Komision do të kërkojë minimalisht 1 muaj nga data e fillimit të shqyrtimit të saj”, ka reaguar ERRU. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi të enjten kërkesën për rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet me 20 lekë për m3 duke e çuar nga 45 lekë në 65 lekë/m3. Kjo rritje sipas Bashkisë së Tiranës e cila ka edhe kompetenca të plota mbi ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime, bëhet për të kryer investime në rrjet që në 5 vitet e ardhshme do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit. Së bashku me aplikimin është paraqitur edhe një plan biznesi. UKT nga ana tjetër ka regjistruar një ecuri pozitive tek bilanci financiar i vitit 2016 kur regjistroi një fitim 5 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat