Plagosja e aktorit, rrëfimi dramatik i atentatorit: Më vdiq vëllai….

Shqipëria

Plagosja e aktorit, rrëfimi dramatik i atentatorit: Më vdiq vëllai….

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 18:38
Miklar Tola

Një përgjim ambiental mes vëllezërve Milklar Tola dhe Ermir Tola, është një nga provat më të forta në dorën e Prokurorisë që lidh të parin me planin e ekzekutimit të Mishel Prelës. Përgjimi, i cili publikohet i plotë në vijim, është realizuar në ambientet e Policisë së Tiranës, ku Miklar Tola, i cili thirret ndryshe edhe “Koli”, i kërkon vëllait të takojë Shkëlzen Bucin për t’i marrë 25 apo 30 mijë euro. Ai garanton vëllain se vetë nuk e gjen gjë, me argumentin se “unë nuk kam asnjë lloj rreziku, se s’kam shti” dhe nga ana tjetër i thotë t’i sjellin avokat për ta nxjerrë nga qelia, pasi ndryshe “do të fliste”.

Rrëfimi i Shkëlzen Bucit

Gjatë pyetjes së tij nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, personi nën hetim Shkëlzen Buci ka rrëfyer se ka rreth 4 vjet që njihet me shtetasin Ervin Zallumi, me të cilin ka lidhje shoqërore. Kohët e fundit Shkëlzeni ka pasur fatkeqësi, ku përpara një muaji i ka ndërruar jetë vëllai i tij, Ardian Buci, në moshën 25-vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Për shërimin e tij, Shkëlzeni dhe familja e tij (prindërit) kanë marrë borxh te fondit “B…” rreth 15 mijë euro, ku për shlyerjen e këtij borxhi duhet t’i paguante kësaj kompanie rreth 700 mijë lekë të vjetër në muaj, si dhe një shumë prej 15 milionë lekë të vjetër borxh te persona të ndryshëm.

Duke filluar nga muaji nëntor i vitit 2016, ai ka ngelur pa punë, pasi i është prishur dyqani ku ka punuar. Para pak kohësh ai është takuar me shtetasin Ervin, të cilit i ka kërkuar t’i gjente një punë, pasi nuk ishte mirë nga gjendja ekonomike. Pas disa kohësh, në një moment të dytë, ata të dy janë takuar përsëri në shtëpinë e shtetasit Ervin Zallumi, pranë vendit të quajtur “Shkolla e Kuqe”, ku gjatë bisedës Ervini i ka kërkuar Shkëlzenit për të hequr qafe një person që Ervini kishte hasmëri, pasi kohë më parë ky person e kishte goditur me thika. Personi në fjalë quhej Mishel Prela dhe për këtë problem kishte bërë edhe burg.

Ervini i ka thënë Shkëlzenit se për këtë punë do t’i jepte rreth 50 mijë euro në dorë dhe pasi të kryhej vrasja edhe një shumë tjetër prej 30 mijë euro deri në fund të vitit. Te nesërmen janë takuar përsëri, po te shtëpia e Ervinit dhe ai i ka dhënë një pistoletë “TT” me një krehër brenda. Shkëlzeni sqaron se këtë episod e ka regjistruar me një telefon “Nokia” tip i vjetër dhe për siguri e kishte futur te reflektori që shërben për ngrohje te shtëpia dhe në momentin që Policia i ka shkuar në banesë më datë 21.07.2017 ai ua ka dorëzuar telefonin atyre. Pasi ka marrë pistoletën nga Ervini, ai ka takuar një shokun e tij që quhet Miklar Tola dhe i ka kërkuar ndihmë për eliminimin e një personi, ku Miklari duhej vetëm të ndiqte lëvizjet e Mishel Prelës dhe se kur të realizonin vrasjen, Shkëlzeni do t’i jepte Miklarit rreth 25 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat