Patozi thirrje për herë të fundit Bashës: Mos i hyr asaj dere o trim

Shqipëria

Patozi thirrje për herë të fundit Bashës: Mos i hyr asaj dere o trim

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 21:48
Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi thotë se kjo forcë politike rrezikon të shndërrohet në partinë më problematike në vend nëse nuk respektohet statuti.

Gjatë një takimi me grupimin anti-Basha në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, Patozi i bëri thirrje për herë të fundit Lulzim Bashës që të tërhiqet nga gara farsë për zgjedhjen e kryetarit.

“Ne rrezikojmë të shndërrohemi në partinë më problematike dhe kjo është e dhimbshme. Lulzim, ke ende disa orë që t’ua kursesh demokratëve një traumë tjetër. I detyrohesh kaq shumë demokratëve. Sipas meje, nuk ka asnjëherë një shans që të rilindësh të drejtosh PD. Përndryshe do të hysh në histori si politikani më famëkeq i pas komunizmit që në shumë pak kohë shkatërroi partinë që rrëzoi komunizmin.Historia nuk do të ta falë kurrë, ndaj po ta them për herë të fundit, mos hyr në atë derë o trim”, tha Astrit Patozi.

Ish-nënkryetari i PD i bëri thirrje edhe kandidatit tjetër në garë, Eduart Selamit, të cilit i bëri thirrje gjithashtu të tërhiqet dhe të kthehet aty ku ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe.

Patozi theksoi se lëvizja e tyre nuk është për pushtet, por për të forcuar Partinë Demokratike. Sipas tij, grupimi anti-Basha kërkon që partia të zgjedhë kryetarin përmes një gare farse, kurse Lulzim Basha është kërkon të mbyllë me shpejtësi garën për të zgjedhur partinë.

“Kjo nuk është një lëvizje politikanësh, por e shumicës së demokratëve të goditur fort nga zgjedhjet e 25 qershorit. Që të gjithë jemi të bindur se i vetmi shans që PD të kapërcejë krizën është një proces reflektimi për humbjen katastrofike. Ne nuk e pranojmë dot ngutin e Lulzim Bashës për ta mbyllur me një farsë atë. Ne gjithashtu e kemi të pamundur që në partinë tonë nuk mbahet më as formalisht përgjegjësi për rezultatin dramatik të zgjedhjeve.

Ne duam që të ndreqim PD-në e drobitur, Lulzim Basha kërkon që të mbarojmë punë njëherë me kryetarin që ky iu fundit të bëjë ç’të dojë me PD. Ne këtu jemi partia që duam të zgjedhim kryetarin, ndërsa ai kryetari që do të zgjedhë partinë”, theksoi Patozi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat