‘Rambo’ fiton një betejë, por jo të gjithë luftën

Shqipëria

‘Rambo’ fiton një betejë, por jo të gjithë luftën

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 12:32
Dritan Demiraj

Ministria e Mbrojtjes nuk heq dorë, por vendos të vazhdojë betejën ligjore me Dritan Demirajn, aktualisht ministër i Brendshëm i emëruar nga PD-ja.

Dje u mësua që Gjykata Administrative e Apelit kishte pranuar kërkesën e Demirajt duke i dhënë të drejtë atij për rikthimin në detyrën e mëparshme si kolonel ose në një detyrë të të njëjtit nivel, si dhe pagesën për të gjithë periudhën që ka qenë i liruar nga detyra.

Por ky vendim mesa duket nuk e ka kënaqur Ministrinë e Mbrojtjes, e cila mësohet se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

“Gjykata e Apelit vendosi dje të pranojë padinë e kolonelit në lirim. Në këto kushte, menjëherë sapo të njihemi me vendimin e gjykatës të zbardhur, Ministria e Mbrojtjes do të ushtrojë rekurs përpara Gjykatës së Lartë,” thuhet në një njoftim të shpërndarë sot paradite nga zëdhënësja e kësaj ministrie, Edlira Prendi.

Ndërkohë Gjykata Administrative e Shkallës së parë i kishte dhënë të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes për vendimin që ka marrë për largimin nga FA të kolonelit në lirim Dritan Demiraj.

Në studion e Ora News, Demiraj, duke komentuar vendimin tha se reforma në drejtësi ka filluar të japë efektet e para, edhe pse është pak për ta quajtur sukses.

Madje shtoi: “Është bërë presion i jashtëzakonshëm që unë të mos kthehem në punë”.

“Unë jam një ushtarak me 31 vjet karrierë, jam i stërvituar që të fitoj betejat dhe kjo ka qenë beteja e radhës. Më vjen mirë që mora të drejtën e absolute të kthimit në detyrë, falenderoj dhe avokatin Tërshana, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshëm kryesisht me presionin për ta penguar këtë vendim. Duket që reforma në drejtësi po jep frytet e veta. Pra jemi në një kohë që sistemi i drejtësisë po jep vendime të drejta që padrejtësisht janë larguar nga puna”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat