Mesazhi i fortë i Fugës: Kombi që do vetëvrasje kolektive, t’i bëjë çunat e gocat poetë e nëpunës

Shqipëria

Mesazhi i fortë i Fugës: Kombi që do vetëvrasje kolektive, t’i bëjë çunat e gocat poetë e nëpunës

Më: 20 korrik 2017 Në ora: 11:47
Akademiku Artan Fuga

Akademiku Artan Fuga ka rrëfyer një histori në “Facebook” ku tregon takimin me gomistin Fred Dakavelli në Durrës, duke dhënë një mesazh për të rinjtë që të orientohen drejt zanateve.

“Zanatçinjtë janë shtylla kurrizore e një kombi kur kombi dëshiron ta vazhdojë rrugëtimin e tij në shekuj. Poqese ka vendosur të bëjë vetëvrasje kolektive le t’i çojë të gjithë çunat dhe gocat e veta të bëhen poetë, nëpunës, apo specialistë të shkencave politiko-analitike”- shkruan ai.

Postimi i Fugës 

Me gomistin e lagjes Plazh të Durrësit Fred Dakavelli.

Pasi më riparoi gomën patëm dëshirë të dalim një foto sepse edhe ca biseda përtej profesioneve tona edhe i bëmë.

Për t’i thelluar ndofta e lamë kushedi për një kafe në ditë pushimesh.

Siç thonë : Patëm një konsultim të frytshëm dhe miqësor. Unë nuk e njihja më parë sepse “halli” nuk më kishte cuar te dera e ateliesë së tij.

Mbeta edhe shumë i kënaqur si klient.

Nuk heq dorë nga bindja ime. Teknikët i bëjnë punët më mirë se llafollogët teoricienë.

Zanatcinjtë janë shtylla kurrizore e një kombi kur kombi dëshiron ta vazhdojë rrugëtimin e tij në shekuj. Poqese ka vendosur të bëjë vetëvrasje kolektive le t’i cojë të gjithë cunat dhe gocat e veta të bëhen poetë, nëpunës, apo specialistë të shkencave politiko-analitike.

Pa punë, pa punë, pa punë.

Fredi ma hoqi gozhdën nga goma, e punoi mirë e bukur kapertonin nga brenda, dhe unë vazhdova i qetë rrugëtimin me gomën e kolauduar për bukuri e centruar perfekt.

Sa më afër profesionit, sa më afër objekteve, sa më afër procedurave konkrete, sa më të hapur ndaj transparencës së njerëzve, sa më e ndarë në pjesë puna që bën, aq më shumë njeriu është i kthjellët, i qartë, i saktë.

Nisni dhe flisni për gjëra të përgjithshme, globale, që nuk janë as profesioni juaj dhe as kanë lidhje me dijet tuaja, që i shihni nga lart dhe nga larg, dhe menjëherë nisim të delirojmë dhe flasim e shkruajmë kodra pas bregut!

Nejse, të lumshin duart Fred Dakovelli!

Aty te Rrota e Kuqe e keni në Plazh!

Te ajo rruga e urbanizuar bukur!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat