“Eduard Selami do rikthehet në krye të PD-së mbas 20 vitesh”

Shqipëria

“Eduard Selami do rikthehet në krye të PD-së mbas 20 vitesh”

Më: 16 korrik 2017 Në ora: 18:02
Eduard Selami

Avokati i njohur, ish- aleati i Edi Ramës, Spartak Ngjela shkruan se Eduard Selami do të dalë fitues në garën me Bashën dhe do të rikthehet në krye të PD-së.

Sipas tij ardhja e Eduard Selamit në krye të të djathtës dhe të Partisë Demokratike, e zgjidh përfundimisht krizën e Reformës dhe e kthen politikën e progresit perëndimor atje ku u përmbys Selami: në vitin 1995.

Postimi i plotë i Spartak Ngjelës:

 Shqipëria është në prag të një ndryshimi të madh. Zgjedhjet e fundit nuk kanë lidhje me ndryshimin. Prandaj ato nuk janë jetëgjata në funksion të ndryshimit.

 Por cili do të jetë ndryshimi?

l.

Ndryshimi do të vijë me goditjen penale dhe luftën kundër korrupsionit.

Është hetuar gjithçka. Korrupsionit aktuale shqiptar i janë gjetur me emra konkrete shuma të mëdha parash, të cilat shumë shpejt pas pastrimit të gjykatës dhe prokurorisë do të bëhen publikë.

Mendoj se nesër fillon hapi i parë: do të mblidhen komisionet e vetingut.

Por është për të qeshur thirrja që i bëjnë Saliut që të kthehet në krye të Partisë Demokratike. Sali ziu nuk di ku ka kokën, këta duan ta ngatërrojnë dhe më keq. (!)

 Il.

Edhe Basha edhe Saliu janë të ikur. Këtu pyetja që ngrihet është: çfarë do bëjë Eduard Selami?

Por kjo pyetje shihet se i ka trembur të gjithë.

Rikthimi i Selamit mban brenda vetes 20 vjetë vonesë të zhvillimit shqiptar; dhe jo vetëm të Shqipërisë, por të të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

 Dhe ja faktet:

1. Berisha doli kundër Bombardimeve të ish Jugosllavisë në vitin 1995. Presidenti Klinton i preu takimin në Shtëpinë e Bardhë me ane te sekretarit të vet Stefanopulos, kur ky, pasi nuk i pranoi tre kërkesat e Këintonit, filloi të fliste broçkulla për Jugosllavinë e Milosheviçit.

 Selami ishte kryetar partie, e dinte lojën nga politika amerikane, dhe kërkoi të ishte kryeministër se ishte kryetar partie.

 Kjo do të ishte zgjidhja: por Berisha dhe Meksi e rrëzuan.

2. Selami iku, por kriza vijoi, derisa në vitin 1997 erdhi kryeministër Nano. Nanoja ishte gjithashtu kundër bombardimeve të ish Jugosllavisë. U takua edhe me Millosheviçin vetëm për vetëm në Kretë.

 Por edhe qeveria Nano u mbërthyes nga një krizë permbysëse.

3. Me një krizë të re u rrëzua dhe Nanoja; por politika amerikane e gjeti më në fund një mbështetës të palëkundur: Pandeli Majkon kryeministër. Menjëherë Bill Klintoni urdhëroi bombardimet e ish Jugosllavisë.

lll.

Tani jemi sërish në udhëkryq; se jemi në krizën e katërt: duhet të funksionojë domosdoshmërisht shpejt aleanca shqiptaro-amerikane. Por kjo u pengua në lidhje me Reformën që zvarriti Berisha dhe Basha, derisa u kërcënuan ashpër nga politika amerikane. Por tani nuk ka më kohë.

 Prandaj, ardhja e Eduard Selamit në krye të të djathtës dhe të Partisë Demokratike, e zgjidh përfundimisht krizën e Reformës dhe e kthen politikën e progresit perëndimor atje ku u përmbys Selami: në vitin 1995.

 lV.

Kjo është gjendja e sotme. Por a do të dalë dot Selami në krye të Partisë Demokratike? Sigurisht që po, sepse përgjigja e kësaj pyetjeje është: vërtet mendoni ju se i verbëri nuk i do sytë?

 Për mendimin tim gjithçka është zgjidhur, as Berisha e aq më pak Basha nuk e ndalojnë dot më Selamin që të drejtojë frymën e liberalizmit amerikan në konceptin e zhvillimit modern shqiptar. Sigurisht që kjo pritet për t'u parë këto ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat