Kokëdhima: Rama e nxori Shqipërinë me këpucë të kuqe

Shqipëria

Kokëdhima: Rama e nxori Shqipërinë me këpucë të kuqe

Më: 16 korrik 2017 Në ora: 09:03
Drejtuesi i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima

Kryetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka reaguar sërish dje lidhur me gënjeshtrën e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria ka përfituar fonde në Samitin e Triestes për financimin e katër projekteve. Kreu i Partisë “Zgjidhja” e vlerësoi si gënjeshtër me bisht deklaratën e kryeministrit se Shqipëria ka fituar mbështetje financiare për katër projekte, ndërsa ka risjellë të dhënat zyrtare për fondet që i kanë fituar vendet e tjera fqinje. Sipas Kokëdhimës, kryeministri  Rama dështoi në Samit, shkoi me atlete të bardha dhe e nxori Shqipërinë me këpucë të kuqe. “Rama tha një gënjeshtër me bisht për projektet e Samitit të Triestes. Shqipëria dështoi edhe këtë radhë që të përfitonte nga ndihma për zhvillim e BE-së.

Kryeministri ynë shkoi atje me atlete të bardha dhe e nxori Shqipërinë me “këpucë të kuqe”. Fajtori nuk është ai që ka paratë, por ai që shkon për turizëm dhe propagandë nëpër takimet me donatorët dhe për më keq, duke gënjyer hapur shqiptarët. Dje, në konferencën e shtypit, kryeministri tha se Shqipëria zuri vendin e dytë nga projektet që fitoi, duke thënë një gënjeshtër me bisht, një ditë pas dështimit në Samitin e Triestes”, reagoi Kokëdhima. Shqipëria në Samitin e Triestes nuk prezantoi dhe nuk fitoi asnjë projekt, sipas burimeve zyrtare. E para në listë që ka prezantuar dhe fituar financime është Bosnja-Hercegovina me katër projekte. “E vërteta është se atje u prezantuan vetëm 7 projekte me vlerë 538.5 milionë euro dhe këto fonde i përfituan Bosnja-Hercegovina me katër projekte me vlerë 241.6 milionë euro, Serbia me dy projekte në hekurudhë dhe energji me vlerë 141.9 milionë euro dhe Maqedonia një projekt për korridorin e hekurudhës që lidh Maqedoninë me Bullgarinë dhe Greqinë për 152.3 milionë euro.

Të gjitha këto projekte zënë vlerën 538.5 milionë euro. Shqipëria nuk prezantoi dhe nuk fitoi asnjë projekt edhe pse në konferencën e tij, kryeministri, si për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, tha se Shqipëria fitoi projekte, duke i cilësuar të tilla 3 milionë euro fonde që BE-ja do t’i shpenzojë për të asistuar teknikisht Shqipërinë që ajo të bëjë projekte për të ardhmen. Këto nuk kanë aspak lidhje me projektet për investime që u miratuan në Samitin e Triestes”, u shpreh kryetari i i Partisë Zgjidhja.  Ndërkaq, kryeministri Edi Rama në një konferencë të posaçme për mediat për zhvillimet në Samitin e Triestes tha se Shqipëria fitoi fonde për 4 projekte të rëndësishme. Kjo deklaratë është rrëzuar nga burimet zyrtare të Samitit, ku rezulton që Shqipëria nuk ka prezantuar dhe për pasojë nuk ka fituar asnjë projekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat