PD s’do të publikojë listat e anëtarësisë, Selami kërkon transparencë

Shqipëria

PD s’do të publikojë listat e anëtarësisë, Selami kërkon transparencë

Më: 16 korrik 2017 Në ora: 08:08
Lulzim Basha dhe Eduard Selami

Partia Demokratike nuk do të bëjë publike listën e anëtarësisë që në datën 22 korrik do të votojë për kryetarin e ri të partisë më të madhe në opozitë. Komisioni përgjegjës për këtë proces ka njoftuar dje se listat e anëtarësisë nuk do të bëhen publike për shkak se përmbajnë të dhëna personale por edhe mund të jetë rrezik për njerëzit që janë të punësuar në administratë. Kundër këtij vendimi është shprehur kandidati për kryetar Eduard Selami, i cili iu drejtua Bashës që të bëjë publike listën. “Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë të cilat do i bashkëlidhen Regjistrit Elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve. Theksojmë se, lista e anëtarësisë është e hapur për përdorim të brendshëm në gjithë degët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike. Ato janë të dhëna personale dhe bazuar në ligjin për “Të dhënat personale” dhe ligjin për “Mbrojtjen e të dhënave personale” nuk mund të publikohen.

Përveç arsyes ligjore ka dhe një arsye morale. Këto lista nuk mund të vihen në përdorim jashtë Partisë për ta kthyer anëtarësinë tonë në gjueti shtrigash në vendet e punës në administratë dhe jo vetëm”, njoftoi Partia Demokratike. Gjithashtu, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike ka miratuar të dhënat që kanë të bëjnë me përbërjen e Komisioneve të votimit, vendet e votimit si dhe listat shtesë  për 64 nga gjithsej 68 degë të Partisë Demokratike. Komisioni vendosi si afat të fundit për kandidatët datën 16 korrik për të dorëzuar  listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit. “Deri në mesditë janë administruar të dhënat e 64 degëve nga gjithsej 68 degë të Partisë Demokratike. Data 15 korrik është afati përfundimtar për administrimin e këtyre të dhënave. Komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.

Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë të cilat do i bashkëlidhen Regjistrit Elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve”, thuhej në njoftim. Këtë vendim të komisionit nuk e ka pranuar kandidati për kryetar, Eduard Selami. “Bëj transparencë zoti Basha! Ndërrimet e lidershipëve të partive janë operacione delikate edhe në vendet me demokraci të përparuara, prandaj ata kane rregulla loje brenda tyre. Ajo që është për të ardhur keq në PD është se edhe vete zoti Basha po kontribuon në rrëmujën e krijuar sepse garën e ka filluar me ngutje dhe jo me një analizë që do të dëshironim që të gjithë ta bënte. Unë i kam kërkuar disa herë që të shtynte datën 22 korrik si datën e zgjedhjeve në mënyrë që gara të jetë e barabartë, sepse është kohe e pamjaftueshme. T’i linim demokratët të merrnin frymë nga humbja e 25 qershorit, të bënin dhe ata një analizë. I kam kërkuar edhe të dorëhiqej, në mënyrë që garën ta fillonim në kushte të barabarta. Sot ai i ka të gjitha, eskortën, kryesinë etj. Ju do thoni, po ti pse u fute në garë? Sepse mendoj se po mos të futesha, dëmi që do i shkaktoja PD-së do ishte më i madh. I kam kërkuar gjithashtu që listat e anëtarësisë të jenë publike. Ne duhet t’i lëmë qytetarët shqiptarë, edhe ata që s’janë anëtarë të PD, të shohin se çfarë po ndodh këtu sepse ne nuk jemi parti ilegale”, reagoi ai.  Sipas Selamit, refuzimi i kërkesave nga ana e Bashës tregon se ai do të mbajë me çdo kusht postin e kryetarit. “Duket sikur se më shumë se sa për ringritjen dhe bashkimin e PD, Lulzim Basha po mendon për mbajtjen me çdo kusht të postit të kryetarit dhe kjo është e gabuar”, tha ai.

Berisha për lisën e zezë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje sërish listën me listën e zezë, të publikuar nga Rama disa ditë më parë. Berisha ka ironizuar faktin që kryeministri Rama mohoi që ai ta ketë publikuar listën në Facebook-un e tij. “Dje Edi Rama, i demaskuar si rrallë ndonjë herë më parë për listën e tij të zezë të shpirtit tij të zi, doli si i menderosur në konference shtypi. Qëllimi kryesor i tij ishte të mashtronte shqiptarët për listën e zezë, në të cilën ai kishte renditur pa asnjë fakt, provë, dëshmi apo dokument 101 emra përfshi dhe të vdekur duke rikthyer kështu një praktikë të etërve të tij bllokmenë hoxhistë, në të cilën akuza ishte dhe prova e vetme qofte dhe për pushkatimin e tyre. Rama dje u tha shqiptarëve se ai nuk e ka bërë listën dhe kjo ishte njëlloj sikur të thoshe se ai e ka miratuar por nuk e ka shkruar listën dhe se facebook-u i tij ku u publikua lista është si një hale publike, natyrisht jo për publikun e gjerë por për Fuget, Agaçet dhe sojin e tyre. Në të vërtet lista e zezë ishte një shpërthim i pakontrolluar i katranit të shpirtit të tij të zi!”, reagoi Berisha.

Lulzim Basha:  Hera e fundit që i bëj listat unë

Lulzim Basha, kreu i vetëngrirë i Partisë Demokratike gjatë takimeve të tij me demokratët e Shijakut, Durrësit dhe Rrogozhinës tha se PD-ja duhet të vazhdojë rrugën e saj të kauzave të drejta për Shqipërinë, me në krye atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këtë kauzë të çadrës Basha e lidhi me zgjedhjet e cenuar të 25 qershorit.  Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit dhe mazhoranca që doli prej saj, janë një version i asaj të vitit ‘91, ku qytetarët bëheshin pjesë e votimeve fiktive nën terrorin e Sigurimit të Shtetit dhe fletë rrufetë identifikonin koka turku mes qytetarëve. “Qytetarët ishin skeduar me metodat e sigurimit famëkeq. Paratë ishin shpërndarë, ata mbaheshin nën vrojtim me ndihmën e një shteti të bërë njësh me krimin, administratës, shërbimeve, ndihmës sociale, subvencioneve, legalizimeve, me mediat të gjitha të kapura dhe të vëna në shërbim të pushtetit dhe gjithçka tjetër. Në këto kushte u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit. Në këto kushte mazhoranca që ka dalë nga 25 qershori është një mazhorancë fiktive. Nuk reflekton vullnetin e njerëzve aq sa e reflektonte ajo e 91-shit, për rrethana të njëjta apo të ngjashme. Reflekton frikën, dëshpërimin, reflekton varfërinë që këta e theluan.

Ne jemi te vetmit që kemi moralin forcën, kurajon vizionin dhe planin për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Nuk ka dritë në fundin e tunelit të Edi Ramës”, tha Basha. Në vijim, kryedemokrati u shpreh se brenda PD-së do të ndodhë ajo që parashikonte edhe koncepti i Republikës së Re. Ai shtoi se lista e 25 qershorit do të jetë  e fundit që është harruar dhe dorëzuar nga kryetari. “Kur i dhamë shqiptarëve konceptin e Republikës së Re, që në thelb është një raport i ri midis qytetarit dhe pushtetit, me zgjedhje të drejtpërdrejta të deputetëve, me zvogëlim të numrit të deputetëve, me ndryshim të balancës kushtetuese midis institucioneve, fuqizimin e qytetarit, eliminimin e partitokracisë dhe rikthimin tek vlerat demokratike për të cilat u ngritëm 25 vjet më parë, kjo do të ndodhë edhe brenda Partisë Demokratike. Fuqizimi i anëtarit do të thotë vendimmarrje një anëtar një votë, siç u shpreha kur dorëzova listën e deputetëve. Kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari. E që këtej e tutje duhet të jetë produkt i një procesi transparent gjithëpërfshirës me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari të Partisë Demokratike, më të mirët dhe për t’u bashkuar rreth tyre në betejë”, deklaroi Lulzim Basha.

Astrit Patozi: Çfarë pres në ndodh deri më 22 korrik

Deputeti që u përjashtua nga gara, Astrit Patozi ende pret që kjo garë që ai e quan farsë, të ndërpritet dhe të rinis nga fillimi me një procedurë tjetër. “Do përpiqem me të gjitha forcat e mia, bashkë me shumë kolegë dhe demokratë të irrituar me këtë që po ndodh, të ndalojmë konkludimin e një procesi farsë brenda nesh. Nuk duam të lejojmë që 22 korriku të jetë kurorëzimi i një farse të tillë. Por nëse kjo do të jetë e pamundur, edhe pse kemi ende kohë për ta ndalur, atëherë kjo do të jetë ditë shumë e zezë për PD, Shqipërinë, dhe politikën në tërësi”, u shpreh ai. Në një intervistë në “News 24”, Patozi u shpreh se PD-së i humbën shumë mbështetës të saj në zgjedhjet e 25 qershorit, duke shtuar se nëse Basha fiton “do të marrë në dorë çelësat e kosheres, por bletët nuk do të jenë më aty”. I pyetur nëse ndërhyrja e Berishës do e zgjidhte situatën, i përjashtuari nga gara u shpreh se nuk beson në çelësa magjikë. “Unë nuk besoj tek çelësat magjikë, asnjëherë. Dhe nuk besoj se një njeri i vetëm sado i fuqishëm dhe ndikues që të jetë, t’i ketë në dorë të gjitha.

Por edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, unë nuk do kisha qejf që të ndodhte, që një njeri i vetëm të ketë çdo çelës që kontrollon gjithçka, sepse unë jam kundër kësaj. PD duhet të dalë nga ky spiral”, tha Patozi, ndërsa bashin e cilësoi si një autokratuc që e ka personalizuar vendimmarrjen në PD. “Sot ne jemi në mëshirën e një “autokratuci” do e thoja, i cili e ka personalizuar vendimmarrjen e PD, duke e kapërcyer disa herë edhe Berishën, i cili ka pasur akuza për të qenit autoritar. Por nëse ka qenë Berisha autoritar, ky lloj autoritariteti ka qenë në një farë mënyrë i gjithë pranuar nga vetë PD, ka qenë shumë natyral, dhe ka qenë në përshtatje të plotë me kushtet në të cilat është ushtruar. Basha është në kundërkohë, kundërrjedhë, dhe kundërrymë, me të gjitha zhvillimet botërore, europiane, ballkanike, shqiptare, duke u treguar si një plak në politikë, ndërkohë që duhet të sillej si një europian dhe i ri, për moshën që ka dhe për formimin. Sepse pretendon se vjen nga një shkollim perëndimor”, u shpreh Patozi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat