Standardet e kreditimit- BSH: Lehtësohen për individët, shtrëngohen për biznesin

Shqipëria

Standardet e kreditimit- BSH: Lehtësohen për individët, shtrëngohen për biznesin

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 09:30
Ilustrim

Banka e Shqipërisë publikoi rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017, ku evidenton se, standardet e kredisë për bizneset mbeten pothuajse të pandryshuar nga tremujori i kaluar, ndërsa standardet e kredisë për individë janë lehtësuar.

Sipas madhësisë së biznesit, vihet re se standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha kushtet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, standardet e kreditimit janë lehtësuar vetëm për kredinë konsumatore, ndërkohë që për kredinë për blerje banese kushtet mbetën të pandryshuara.

BSH-ja evidenton se, faktorët kryesorë që ndikuan në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve janë konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit të bankave. Po këta tregues – së bashku me mjaftueshmërinë e kapitalit të bankave – u perceptuan si faktorët që sollën lehtësimin e standardeve të kredisë edhe për individët.

Ndersa faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, situata makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit.

Politika lehtësuese e bankave ndaj kredisë për biznese u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar, ndërsa shtrëngimi i kushteve për këtë kategori u krye nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral. Bankat shprehen se lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, rritjes së raportit të këstit ndaj të ardhurave dhe rritjes së madhësisë së kredisë, citon Banka Qendrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat