Ministria e Brendshme: Regjistrohuni në zyrat e gjendjes civile, ndryshe ju pret kjo gjobë

Shqipëria

Ministria e Brendshme: Regjistrohuni në zyrat e gjendjes civile, ndryshe ju pret kjo gjobë

Më: 12 korrik 2017 Në ora: 16:37
Ministria e Brendshme

Vetëm 17 ditë kanë mbetur nga afati që Ministria e Brendshme ka vendosur për qytetarët që të bëjnë zhvendosjen e gjendjes civile në zonën apo qytetin ku jetojnë, pa kryer ndonjë pagesë.

Pas 28 korrikut qytetarët që nuk përputhin vendbanimin me gjendjen civile do të gjobiten me 10 mijë lekë të rinj. Kjo vlerë do të vilet në momentin më të parë kur banori të kërkojë certifikatë apo vërtetim lagje.

Por gjoba nuk është penaliteti i vetëm për qytetarët që nuk zbatojnë ligjin.

Ata do të kenë probleme me shërbimet si zyrat e gjendjes civile, me kartat e parkimit që do të vihen në funksion, por edhe me regjistrimin e fëmijëve në kopshte e shkolla.

Përmes një njoftimi, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron edhe procedurat dhe dokumentet që i duhen qytetarëve për të kryer zhvendosjen.

NJOFTIMI I PLOTE

DPGJC njofton: Deklarimi i ndryshimit të vendbanimit falas deri në 28 Korrik 2017

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile njofton se më 27 Korrik 2017 përfundon pezullimi i masës së gjobës për mosrespektimin e afatit 1-mujor për deklarim të vendbanimit nga shtetasit.

Kjo masë u pezullua me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të miratuara në ligjin nr. 134/2016, datë 22.12.2016 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, sipas dispozitës kalimtare të parashikuar në nenin 24.

Nisur nga data 28 Korrik 2017, pas periudhës 6-mujore të amnistisë për çdo mosdeklarim të ndryshimit të vendbanimit, DPGJC njofton se nga shërbimi i Gjendjes Civile, zyrat e Gjendjes Civile në bashki dhe në njësi administrative, do të aplikohet masa e gjobës prej 10. 000 (dhjetë mijë) lekësh.

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u kujton të gjithë shtetasve shqiptarë të cilët nuk kanë deklaruar ende vendbanimin, ose nuk kanë kryer veprime të ndryshimit të vendbanimit në zyrën e Gjendjes Civile nën juridiksionin e së cilës ndodhet godina e vendbanimit të tyre, të kryejnë sa më shpejt veprimet në përmbushje të këtij detyrimi ligjor.

Amnistia ose mosaplikimi i masës administrative (gjobë) përfundon në datë 27 korrik 2017.

Për t’i shërbyer sa më mirë shtetasve tanë të cilët nuk kanë mundësi të kryejnë këtë shërbim gjatë ditëve të javës, ky shërbim do të ofrohet dhe në ditët e pushimit në dy fundjavat në vijim përkatësisht më 15–16 dhe 22–23 korrik 2017, ditë në të cilat zyrat e Gjendjes Civile do të qëndrojnë të hapura.

Për procedurën e ndryshimit të vendbanimit (e cila realizohet në zyrën pritëse nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet ndërtesa, godina e vendbanimit), kërkesa për ndryshimin ose deklarimin e vendbanimit duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

fotokopje të letërnjoftimit për çdo person madhor, anëtar të familjes;

dokumentin e pronësisë së banesës, ose kontratë qiramarrje / huadhënieje / përdorimi / banimi, apo çdo dokument tjetër të ligjshëm të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, që i jep shtetasit të drejtën e përdorimit të banesës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat