Masterplani i Tiranës, Veliaj prezanton 3 projektet konkrete nga studentët e Harvardit

Shqipëria

Masterplani i Tiranës, Veliaj prezanton 3 projektet konkrete nga studentët e Harvardit

Më: 11 korrik 2017 Në ora: 15:07
Erion Veliaj

Që nga 8 qershori, Bashkia e kryeqytetit ka mirëpritur studentët më të talentuar nga Masteri i Graduate School of Design & Urban Planning të Universitetit të Harvardit, të cilët prej gati një muaji janë duke punuar në departamentin e planifikimit urban me projekte që kanë të bëjnë me Planin e Përgjithshëm Vendor të kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot i pranishëm në dëgjesën publike me arkitektë dhe studentë të Harvardit, nga ku bëri prezantimin e 3 projekteve kryesore,  me të cilët po punojnë këto të fundit.

“Sot do të kemi 3 prezantime, për 3 pjesë të planit urbanistik  që do të adresojnë 3 projekte konkrete që Bashkia e Tiranës do ti financojë, si pjesë e implementimit të planit. Ne jemi gati që sot, që të marrim reagimet e para, kundërshtimet e para, debatet e para përsa kohë që nuk ofendojmë njëri-tjetrin dhe përsa kohë që kjo është konstruktive”, tha Veliaj.

Më tej, ai vuri në dukje se “në fund fare është e rëndësishme që të marrim vendime dhe të ecim përpara. Siç kemi marrë këtë vendim për këtë godinë. Jemi thuajse në finale të planit  të transformimit të Piramidës në një qendër të artit modern, ashtu do të duhet që edhe sot ti dëgjojmë të gjithë dhe në fund të marrim një vendim e të ecim përpara. Projekti i parë quhet “William” i cili ka drejtuar një skuadër dhe këtu dua të falenderoj dhe studentët shqiptarë. Secili prej kolegëve të Harvardit ka pasur një ekip të studentëve shqiptarë që kanë dhënë kontribut dhe që dua ti vlerësoj. Na pëlqejnë shumë gjërat që bëjnë të huajt por harrojmë që si për planin urbanistik, ashtu edhe për këto projekteve, kanë punuar shumë prej çunave dhe gocave fantastike arkitektë, urbanistë, inxhinierë që dua ti falenderoj shumë”.

Veliaj sqaroi se projekti i parë ka të bëjë me parkun qendror tek Bulevardi Ri.

“Bëhet fjalë për një hapësirë që është zhvendosur në të majtë të Bulevardit të Ri, në 500 metrat e para fillon dhe mbaron deri tek kilometri një e gjysmë, që është një hapësirë 6 herë më e madhe se Parku Rinia, që do të krijojë parkun e ri qendror të qytetit. Me qëllim që kjo hapësirë të jetë një mushkri për Tiranën. Gjithashtu, nga matjet e ndotjes së ajrit na rezulton që i vetmi vend në tiranë ku ajri është nën normat e ndotjes së Bashkimit Europian është sheshi “Skëndërbej”.

Kreu i  Bashkisë së Tiranës sqaroi se lidhur me masterplanin e parkut të ri,  Bashkia do ta zhvillojë atë në disa faza dhe investimi do të vazhdojë ndër vite. Sipas tij, pas sheshit “Skëndërbej”, pas parkut të liqenit të Tiranës, atij të Farkës dhe Kasharit, parku qendror do të jetë një nga pjesët me kreative të qytetit.

Projekti i dytë  i prezantuar lidhej me krijimin e poliqendrave të Tiranës. Sipas Veliaj, plani i Stefano Boerit parashikon një Tiranë  me disa qendra. Disa nga propozimet janë: Kombinati, Lapraka etj. Ai vuri në dukje se në çdo zonë do të ruhet karakteristikat  që kanë. Ndërsa projekti i tretë lidhej me fasadat e Tiranës. Sipas kryetarit, fasadat përkthehen në një kartolinë për qytetin.

Secili prej grupeve që po punojnë në këto workshop-e përfaqësohen nga 1 student nga The Graduate School of Design, Harvard University, një nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, një student nga Polis University, një nga Epoka University dhe së fundmi një Junior Architect nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë. Pesë përfaqësuesit e grupeve do të punojnë intensivisht për një periudhe kohore 10-12 javë, për të arritur në një produkt final i cili do të jetë koherent me nevojat e qytetit dhe i implementueshëm.

Më 27 Korrik do të paraqitet edhe prezantimi final i propozuar nga grupet e krijuara. Më herët, vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka zhvilluar një vizitë në Universiteti i Harvardit, nga ku më pas ka lajmëruar edhe nisjen e programit më të ri, pra programin e asistencës teknike për zhvillimin urban dhe inovacionin në qytetin e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat