Mësuesit pa rroga. Reagon ministrja e Arsimit

Shqipëria

Mësuesit pa rroga. Reagon ministrja e Arsimit

Më: 5 korrik 2017 Në ora: 15:54
Ministria e Arsimit

Ministra e Arsimit, Mirela Karabina reagoi për sot për mos marrjen e rrogave nga ana e mësuesve dhe punonjësve të Ministrisë.

Sipas saj shkak për bllokimin e pagave është bërë burokracia e administratës.

Në deklaratë thuhet se veprimtaria e MAS është e bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.

Deklarata e plotë e Ministres së Arsimit:

Në detyrën e Titullarit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dëshiroj të bëj publike një çështje të rëndësishme siç është kryerja e pagave të punonjësve të administratës shtetërore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.

Pavarësisht informimit të të gjithë instancave të larta shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për zhbllokimin e situatës, kjo problematikë absurde po vijon të mbetet e njëjtë.

Burokracia e administratës dhe manifestimet e ngjyrimeve politike nuk duhet të prekë pagat e punonjësve të administratës shtetërore.

 Bëj një apel institucional për angazhimin e të gjithë aktorëve të ngarkuar nga ligji, për të dhënë zgjidhjen e menjëhershme të problemit të krijuar artificialisht.

Si Ministër i Arsimit dhe Sportit distancohem nga apatia e krijuar mes Departamentit të Administratës Publike dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave që nuk sjell zgjidhje.

Garantoj zbatueshmërinë e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtuese të institucionit që unë drejtoj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat