Biznesmeni ishte zhdukur pa adresë, pse u kthye në Tiranë pak para atentatit

Shqipëria

Biznesmeni ishte zhdukur pa adresë, pse u kthye në Tiranë pak para atentatit

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 10:43
Tofik Hyka

Biznesmeni i njohur Tofik Hyka, i cili u qëllua katër herë me armë në Tiranë, më 28 qershor 2017, rezultonte “i larguar nga Shqipëria pa adresë".

“Arratisja” e tij vite më parë kishte ndodhur pas ecurisë jo të mirë të biznesit dhe detyrimeve të mëdha financiare që sipërmarrësi kishte ndaj të tretëve të shumtë. Si pasojë e presioneve, kërcënimeve e konflikteve të shumta, biznesmeni kishte ikur nga Shqipëria, shkruan sot “Panorama”.

Ndërsa jetonte në Francë prej vitesh, Tofik Hyka mësohet se kishte disa procese gjyqësore të hapura në Gjykatën e Tiranës dhe në Gjykatën e Apelit, madje edhe në Gjykatën e Lartë.

Ai ishte palë e paditur aty nga individë dhe biznese të ndryshme që i kishin dhënë shërbime apo shuma të mëdha monetare Tofik Hykës apo bizneseve të tij, pa arritur të marrin mbrapsht pjesën që u takonte.

Policia dhe Prokuroria i kanë sekuestruar dosjet e të gjitha këtyre konflikteve në përpjekje për zbardhjen e atentatit me katër plumba ndaj biznesmenit.

MISTERI

Një burim nga grupi i hetimit bëri me dije se nga viti 2013 deri në 2017, Tofik Hyka kishte pasur disa procese gjyqësore në Shqipëri me palë të treta. Në të gjitha këto procese, gjykatat kishin kërkuar paraqitjen e tij si palë e paditur, por pas kryerjes së formaliteteve për verifikimin e adresës dhe vendbanimit, nuk gjendej asgjë për biznesmenin.

Edhe procedurat e kërkimit nga komisariatet e policisë kishte arritur në përfundimin se “është larguar” pa adresë nga vendbanimi i fundit. Pikërisht, një largim i tillë, sipas hetuesve e bën të dyshimtë kthimin e tij në Shqipëri, në fund të qershorit 2017, kur biznesmeni ra pre e një atentati me katër plumba pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Fakti se disa prej bizneseve të tij ishin ende aktive, duket se e lidhte biznesmenin me Shqipërinë por arsyeja e ardhjes së tij në Tiranë, në momentin kur iu bë atentat, ka mbetur mister dhe e paqartë.

Dyshimet janë se vizita e tij e fundit në Tiranë, ku kishte ardhur vetëm pa familjarët e tjerë, lidhej me ndonjë prej konflikteve të forta që biznesmeni kishte me persona që iu detyrohej apo që i detyroheshin financiarisht, pasi jepte e merrte borxhe në shuma të mëdha.

Atentati me katër plumba Tofik Hyka është biznesmen shumë i njohur në Tiranë, në 15 vitet e fundit. Ai është baba i tre fëmijëve, dy vajzave 28 e 25 vjeçe dhe i një djali 23 vjeç. Biznesmeni 56- vjeçar mbeti i plagosur më 28 qershor 2017, në një atentat që u bë ndaj tij nga persona me motor, teksa po pinte kafe në zonën e Tiranës së Re.

Autorët qëlluan 4 herë me armë zjarri drejt biznesmenit me qëllimin e prerë për ta vrarë, por vetëm dy plumba e goditën në kokë e pranë zemrës, duke e lënë të plagosur rëndë.

Gjithçka ndodhi në verandën e një hoteli që ndodhet pranë Stadiumit “Selman Stërmasi”, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, në Tiranë ku ndodhej biznesmeni. Pas atentatit mësohet se Tofik Hyka i është nënshtruar 2 operacioneve dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat